SPAK dhe KLSH bëhen bashkë kundër korrupsionit, Arben Shehu takon Dumanin: Intensifikojmë luftën ndaj abuzimeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK janë bërë bashkë në luftën kundër korrupsionit. KLSH çdo vit zbulon me miliona euro dëme në administratë, ku me dhjetra zyrtarë abuzojnë me tenderat. Historikisht KLSH ka kallëzuar shumë individë, por janë të shumtë ata që ja hedhin paq për shkak të neglizhencës së prokurorisë. Mirëpo duket se tani nuk do e kenë aq të lehtë, pasi KLSH do bashkëpunojë me SPAK për të shfarosur korrupsionin.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zoti Arben Shehu zhvilloi sot një takim pune në mjediset e SPAK me zotin Altin Dumani. Pasi e uroi për emërimin në krye të SPAK, zoti Shehu u angazhua për të forcuar bashkëpunimin mes dy institucioneve sa i takon abuzimeve në administratë.

“Të dy drejtuesit, shprehën vullnetin e tyre për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella institucionale si dhe të rritjes së komunikimit të vazhdueshëm në identifikimin dhe përcjelljen e rasteve të korrupsionit dhe abuzimeve me qëllim parandalimin në kohë të këtyre fenomeneve. Gjithashtu u diskutua mbi ndërveprimin institucional edhe gjatë procesit të auditimit nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve apo praktikave të konsideruara në shkelje të ligjit”, njoftoi KLSH.

Ndër të pakta organe në vend që ka vënë në pah korrupsionin qeveritar është KLSH. Raportet që dalin nga zyra e Arben Shehut kanë dëshmuar se pothuajse në të gjitha institucionet abuzohet dhe dëmi është jashtëzakonisht i madh. Por futja e SPAK në lojë duhet të bëjë me dhimbje koke zyrtarët./Marrë nga Prapaskena

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *