Sot GJKKO jep vendimin për Berishën!

Vendimi për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha pritet të shpallet sot në mesditë. Ndonëse kishin paralajmëruar se do të bënin lëvizjen e radhës për të mbrojtur nga izolimi në shtëpi Sali Berishën, avokatët e tij nuk u paraqitën në Gjykatën e Posaçme.

Brenda orës 16:00 kur përfundoi orari zyrtar, ata nuk e depozituan kërkesën e radhës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Paraditen e djeshme, Sokol Mëngjesi pranoi se u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të tërhequr vendimin e arsyetuar të gjyqtares Rudina Palloj, e cila rrëzoi kërkesën e tyre të mëparshme për përjashtimin e Irena Gjokës, pasi e gjeti atë të pabazuar në ligj.

Por, sipas tyre ky vendim nuk iu vendos në dispozicion, ndaj ata nuk u paraqitën në gjykatë.

 

“Gjykata e posaçme të informojë, se cila është arsyeja që deri në orarin zyrtar nuk vuri në dispozicion vendimin e papranueshmërisë së kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka sikurse iu premtua avokatëve zyrtarisht dhe verbalisht!”, – tha avokati Sokol Mëngjesi.

Për të provuar se gjyqtarja është e njëanshme dhe se ka konflikt interesi në vendimmarrjen ndaj Berishës, mbrojtësit shprehen se ky vendim do t’i bashkëngjitej materialeve audio dhe vendimeve të mëparshme të vetë gjyqtares Irena Gjoka që ata kërkojnë të përjashtojnë. Avokati i ish-kryeministri Sali Berisha, Sokol Mëngjesi, i drejtoi dje një shkresë zyrtare kryetarit të GJKKO. Në këtë shkresë, ai kërkon që Gjykata e Posaçme të informojë se cila është arsyeja që nuk u vu në dispozicion deri në orarin zyrtar vendimi i mospranimit të kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *