Sjellja e Policisë Bashkiake ndaj të moshuarës që shiste perime në trotuar, Meta: Dënoj sjelljen e dhunshme!

Pasi në rrjet u bë virale një video ku shiheshin dy policë bashkiakë që keqtrajtojnë një shitëse ambulante të moshuar duke i hedhur në rrugë perimet që kishte për shitje, ka reaguar presidenti Meta.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ thekson se këto sjellje arbitrare janë bërë të shpeshta në rrugët e kryeqytetit.

Kreu i shtetit, i bëri thirrje Bashkisë së Tiranë, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

REAGIMI I METËS

Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht të disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë ndaj të moshuarve, shitës ambulantë.

I bëj thirrje Bashkisë Tiranë, që në mënyrën më të papërgjegjshme ka dhënë edhe në të kaluarën e afërt shembullin më të keq të marrëdhënies së pushtetit vendor me qytetarët, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo institucion dhe autoritet.

Urdhëruesit dhe autorët e këtyre akteve arbitrare, që po kthehen në një fenomen të përsëritur dhe thellësisht shqetësues për banorët e kryeqytetit, meritojnë të marrin përgjigjen e menjëhershme nga drejtësia!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *