Shqipëria humbi gjyqin me Becchettin/Rama: E padrejtë! Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit ku Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Rama ka thënë se është një vendim i padrejtë në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptar, e ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit tha se e kishte paralajmëruar një gjë të tillë. Rama shton se Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj sipërmarrësit, e për këtë thotë se beteja vijon.

“Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!

Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!” shkruan Rama.

Sot Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi. Për këtë, presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje SPAK që të nis hetimet, pasi sipas tij Avokatura e Shtetit e ka gënjyer duke i thënë se nuk e kanë humbur gjyqin.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *