Shqipëri/ Flet 90-vjeçarja që u zgjua në azil me 30 milion euro pasuri

Detaje të tjera kanë dalë në dritë në lidhje me aferën e inceneratorëve, ku një 90-vjeccare papritur ka mësuar se ishte pronare e një prej bizneseve të përfshira në skemën e pastrimit të parave të këtyre të fundit.

Shtetësia Haxhire Gurakuqi nga Përrenjasi, banuese në një azil të Tiranës pohon se nuk ka dijeni për ekzistencën e kompanive ‘Lumi 2006’ apo ‘Sopotania’, ku dhe u pastruan një pjesë e mirë e parave që disburson shteti për kompanitë e inceneratorëve, (gati 80 mijë euro në ditë).

Gurakuqi pohon se kur u zgjua në azilin e të moshuarve, në pritje që shtëpia e dëmtuar nga tërmeti, t’i rindërtohet.

“I gjithë Përrenjasi më mori në telefon. Më thanë; ‘S’dimë gjë që ke qenë biznesmene” tha e moshuara, e cila rezulton bashkë me një bashkëmoshatar të saj Thanas Çani, pronarë të një biznesi me vlerë 30 milionë euro, si pjesë e një kompanie qe bënte evazion fiskal me inceneratorët.

Gjithë jetën ka qenë ndihmësmjeke. Nuk ka pasur kurrë një biznes. Madje thotë se nuk ka qenë kurrë as në Lezhë, në vendin ku është kompania në pronësi të saj.

“I gjithë Përrenjasi më mori në telefon. Më thanë; ‘ç‘është ky muhabet?! S’dimë gjë që ke qenë biznesmene. Ti ke qenë mjekja jonë’-më thanë. Më thanë; ‘mos ki merak se ne të besojmë”, pohoi e moshuara.

Për ironi, besimi tek shteti nuk i ka humbur. Thotë se kur ka marrë vesh çfarë ka ndodhur, i ka shkruar Edi Ramës.

“I shkruajta dhe i thashë, kështu ma kanë bërë. S’kam marrë përgjigje nga Rama. I shkruajta me zarf dhe ia çova. Shkova në postë me rekomande ia çova. I çova dhe drejtorit të Tatimeve, se nuk jam biznesmene. As ai nuk mu përgjigj. Shkova dhe te këto tatimet këtu te 9-Katëshet. Më ndihmuan, më dhanë shko te drejtori të ‘Stadiumi Dinamo’. Shkova atje dhe s’më futën brenda fare. Më thanë, mos firmosje! Flisja me atë si roje aty. Ata më thanë se ishin të prokurorisë. Ju ktheva atyre dhe i thashë kështu, kështu; ata më thanë; O moj nënë, ti je viktimë.

I thashë: E di dhe vetë që jam viktimë. Ça të bëj. Pështy përpjete më bie syve, pështy poshtë më bie kraharorit, t’i themi derrit dajë. Por i thashë; se lë me kaq, se do t’i hedh në gjyq. Ai Shina më vjen të shoh, që jam biznesmene, po ai është hajdut. Po të rrëmohet do ketë dhe të tjerë si puna ime! I ka futur ato dhe ndajnë lekët së bashku”, tha ajo.

Haxhireja, sipas dokumentave është pronare e një kompanie, të quajtur “Sopotonia”, ndërsa më herët ka pasur një tjetër kompanie “Lumi 06”.

Kjo shoqëri private, sipas të dhënave të publikuara nga Kryemadhi, rezulton të ketë faturuar për kompanitë e inceneratorëve mbi 5 milionë euro. Ajo ka treguar se si dy djem i shkuan në azil dhe iu prezantuan si zyrtarë të Prokurorisë. Për ta, ka firmosur disa dokumente, sepse në bankë kishte 600 mijë lekë të vjetra të bllokuara.

“Më vijnë dy djem këtu, më thanë jemi të prokurorisë, kemi ardhur për punën e atyre lekëve që të kanë bllokuar. Më dhanë dokumente për të firmosur, i besova se thanë jemi të prokurorisë. Më thanë që do kisha mundësi të merrja paratë e mia.

Drejtori më bëri një shenjë, po unë e kuptova vonë. Ma bëri me dorë, që mos e firmos. Por unë e kisha firmosur. Ishin dy persona. Kam dyshime tani. Marrin pasaportat, japin lekët dhe marrin pasaportat. E gjitha që më kanë bërë, është mashtrim, hajdutët. Pasi firmosa, as kursimet e mia nuk i mora dot. Zoti të marrë hak, jam në hallin tim” tregoi ajo./ballkanweb

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *