Sherri për guroren në Borizanë/ Në kërkim vëllai i deputetit socialist, 8 persona shoqërohen në polici

Katër persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku disa persona goditën me shkopa bejsbolli dhe grushte, Bilbil dhe Jashar Majën, pasi ata ishin ankuar për zhurmat e krijuara nga plasjet në një gurore në Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Të arrestuarit janë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku, Andi Rraja.

Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ndërkaq, një nga të shpallurit në kërkim është edhe Xhelal Rraja, vëllai i deputetit të PS-ë, Rrahman Rraja.

Njoftimi i Policisë:

Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar.

Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:

– I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.

Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *