Sejko në Shkup: Shqipëria, me nivelin më të ulët të inflacionit në rajon

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën e 9-të Vjetore të Kërkimeve, të organizuar nga Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut, me temë “Si ndikojnë rritja e re e inflacionit dhe realitetet e reja gjeopolitike në riformulimin e politikave makroekonomike?” që u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Konferenca u hap nga Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska Bezhoska, si dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut  Stevo Pendarovski.

Konferenca e 9-të kishte në fokusngjarjet destabilizuese botërore të viteve të fundit dhe sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale. Ky mjedis i ri i politikave ekonomike ka nxjerrë në pah edhe shumë çështje që lidhen me inflacionin, nxitësit e tij, dinamikën, si dhe reagimet e duhura të institucioneve. Pas disa dekadash rritjejetë integrimit ekonomik global, bota po përballet me rrezikun e fragmentimit gjeoekonomik të drejtuar nga politika.

E organizuar në disa panele,ku u diskutua lidhur me perspektivat e rajonit tonë në këtë mjedis të ri global, Konferenca mblodhi folës të nderuar nga institucione financiare ndërkombëtare dhe akademike,si dhe nga banka qendrore, si: Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë; Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë; Gediminas Simkus, Guvernator i Bankës së Lituanisë; Martin Galstyan, Guvernator i Bankës Qendrore të Armenisë; Steven Vanackere, Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Belgjikës etj.

Në këtë konferencë, Guvernatori Sejko ishte pjesë e panelit me temë “Politikat mbi perspektivën rajonale të BE-së në një mjedistë ri global”, ku diskutimet trajtuan sfidat e reja lidhur me këtë çështje dhe ndërveprimin e tyre me objektivat e bankave qendrore.

Sa i përket rritjes së çmimeve, Guvernatori Sejko u shpreh se Shqipëria ka arritur ta dominojë ndikimin e goditjeve që vijnë nga çmimet e importuara dhe duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të inflacionit në rajon, si në kulmin e tij me 8.3% në tetor 2022, ashtu edhe së fundmi me 4% në gusht 2023.

Ruajtja e stabilitetit të çmimeve, ka ardhur si rezultat i një kombinimi faktorësh: së pari,nga shtrëngimi i hershëm i politikës monetare, i cili kontribuoi në parandalimin e përhapjes së plotë të presioneve inflacioniste të Eurozonës në ekonominë shqiptare; së dyti, nga varësia e kufizuar nga tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe kontrolli i çmimeve të energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend; dhe së fundi,nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të viteve 2022 – 2023, i cili ka ndihmuar gjithashtu në zbutjen e presioneve inflacioniste në të gjithë gamën e mallrave të importuara.

Ndërkohë, Guvernatori theksoi se ky stabilitet çmimeshvijon të mbetet në fokus të politikës monetare të bankës.

“Megjithatë, si një ngjarje që mund të ndryshojë lojën në gjeopolitikë, lufta në Ukrainë përfaqëson sfida dhe mundësi në rrugën tonë drejt integrimit në BE. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë me agjendën tonë të reformave strukturore dhe ta përshtatim atë me realitetet e reja”, u shpreh Guvernatori.

Gjatë panelit, Guvernatori prezantoi gjithashtu progresin e kryer nga institucioni që ai përfaqëson në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fusha si ajo e mbikëqyrjes bankare dhe ajo e sistemeve të pagesave.

Në kuadër të kësaj të fundit, ai u ndal në reformat e nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë lidhur me zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, me synim përafrimin e mëtejshëm të tyre me sistemin e pagasave të Eurozonës (SEPA).

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori shtoi se bankat qendrore, duke u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga revolucionet e vazhdueshme teknologjike dhe inovacionet financiare, duhet të përshtatin në vazhdimësi praktikat ekzistuese dhe të adaptohen me realitetin e ri.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *