Rrumbullaku takon ambasadorin e Katarit: Thellojmë bashkëpunimin për projektet e iniciuara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në takim kortezie ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Al Marri.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u diskutua për çështjet me interes të përbashkët dhe për evidentimin e fushave në të cilat mund të bashkëpunohet në të ardhmen.

Ambasadori Ali Bin Hamad Al Marri shprehu gatishmërinë për të ndihmuar dhe për të mbështetur Policinë e Shtetit, jo vetëm në projektet e iniciuara më parë, por edhe duke ofruar ndihmë në fushën e krimeve kibernetike dhe ndihmë me kamera trupi dhe sisteme komunikimi me radio për punonjësit e Policisë së Shtetit, që parashikohen në projektin që Policia e Katarit do të ofrojë për Policinë e Shtetit.

Lidhur me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm, për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes palëve, ambasadori e ftoi Rrumbullakun, për një vizitë zyrtare në Katar, për të biseduar me homologun e tij, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku e siguroi ambasadorin se të gjitha projektet dhe marrëveshjet e iniciuara më parë do të finalizohen dhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Katarit do të thellohet më tej.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *