Rrjedhja e dokumenteve amerikane: Serbia u pajtua ta armatoste Ukrainën

 

Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar t’i vinte sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës, është pajtuar ta armatoste Kievin apo tashmë ka dërguar armatim, sipas dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit.

Dokumenti, përmbledhje e përgjigjes së qeverive evropiane ndaj kërkesës ukrainase për armatim, ishte në mesin e dokumenteve të klasifikuara që kanë rrjedhur javëve të fundit, në atë që po konsiderohet rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane ndër vite.

I titulluar “Evropa| Përgjigjja ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë”, dokumenti ka listë pozicionesh të 38 qeverive evropiane ndaj kërkesës së Ukrainës për mbështetje ushtarake.

Siç shkruan “Reuters”, dokumenti tregon se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnime për forcat ukrainase, por qe zotuar të dërgonte armatim ose tashmë e ka bërë furnizimin. Po ashtu aty thuhet se Serbia ka pasur “vullnetin dhe aftësinë ushtarake” për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është ruajtur si sekret dhe ka qenë i shënjuar me shenjën e ndalimit për shpërndarje te shërbimet e huaja të inteligjencës. Ai mban datën 2 mars dhe është stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.

“Reuters” ka thënë se s’ka arritur ta verifikojë autenticitetin e dokumentit, ndërsa deri tash Serbia nuk ka reaguar për raportimin.

Serbia në vazhdimësi ka luajtur rolin e “neutrales” në luftën e Ukrainës. Ajo është kritikuar për ruajtjen e raporteve me Rusinë.

Departamenti i Drejtësisë është duke hetuar rrjedhjen e dokumenteve, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin që i është shkaktuar sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Dokumenti i Pentagonit ka ndarë përgjigjet e shteteve për ndihmë Ukrainës në katër kategori, ndërsa Austria dhe Malta ishin të dyja që u regjistruan si “jo” në të gjitha kategoritë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *