Rrëmbimi i 3-vjeçarit nga gjyshërit, kërkimet shtrihen edhe në Kosovë, si nisi konflikti pas largimit të nuses nga shtëpia!

Kur kanë kaluar 7 ditë nga ‘zhdukja’ e fëmijës 3 vjeç, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Durrës, policia vijon ende kërkimet për gjetjen e tij. Janë shpallur në kërkim gjyshja dhe vëllai i saj, ndërkohë që ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në arrest me burg gjyshin e fëmijës dhe kunatin e tij. Policia dhe Prokuroria e Durrësit, por edhe ajo e Kukësit, pasi ngjarja tashmë ka dy vendngjarje, dyshojnë se gjyshja nga i ati i të miturit e ka rrëmbyer të voglin në bashkëpunim me dy vëllezërit e saj, ku tashmë njëri është në burg dhe tjetri në kërkim. Historia dramatike që ka më shumë se një javë që luhet në kurriz të një fëmije vetëm 3 vjeç ka bërë që të shtrihet edhe në territorin e Kosovës, pasi vëllezërit e gjyshes së të miturit janë banues në Has e për pasojë dyshohet se fëmija të jetë kaluar në Kosovë.

Policia dhe prokuroritë kanë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që janë marrë edhe të dhëna për lidhjet familjare të vëllezërve të Bahrije Gjunit në disa qytete të Kosovës. Po dje ka folur publikisht xhaxhai i të voglit, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike që fëmija të jetë rrëmbyer për t’i bërë keq, por nëna e tij, e ka marrë nga malli për të birin që i ka ndërruar jetë rreth një vit më parë. Sipas tij, nëna e djalit, pra kunata e tij, kishte kërkuar të largohej nga shtëpia e vjehërrisë për të nisur jetën e saj e për pasojë, gjyshërit e fëmijës kanë vendosur të mbajnë djalin, me idenë se ajo mund të martohet dhe fëmija i djalit të tyre të ndjerë nuk ka pse jeton në një familje tjetër. Mirëpo, nëna e vogëlushit ka tjetër version në lidhje me ‘rrëmbimin’ e fëmijës, pasi ajo ka pretenduar gjithnjë se ka arritur marrëveshje me ta për ta parë sa herë të duan fëmijën. Por në fakt policia dhe prokuroria ende nuk e kanë mësuar zanafillën e konfliktit, për shkak të rëndësisë që i është kushtuar gjetjes së të voglit. Sakaq, xhaxhai i 3-vjeçarit, i cili prej gati një jave rezulton i zhdukur pasi u rrëmbye nga gjyshja e tij nga ana e të atit, është shprehur se mes prindërve të tij dhe nuses s’ka pasur konflikte. Në emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24”, xhaxhai i të miturit rrëfeu se i vëllai, 35- vjeçari Avni Gjuni, humbi jetën në një aksident tek Kthesa e Kamzës rreth 1 vit më parë dhe pas vdekjes së tij, e shoqja, Ile Gjuni u largua nga banesa së bashku me të birin. “Mërzia e humbjes së çunit është, nga dëshira për ta pasur nipin afër, ngaqë humbi djalin, nipi sikur ia zëvendëson pak a shumë vendin e atij”, tha ai, duke shtuar se gjyshja s’përbën rrezik për jetën e 3-vjeçarit.

Xhaxhai i 3-vjeçarit: Vëllai im, që është ish-bashkëshorti i nuses ka vdekur më shumë se një vit më parë tek Kthesa e Kamzës në aksident. Mes nuses dhe vjehrrit e vjehrrës nuk ka pasur konflikte për nipin. Kanë arritur marrëveshje për takim me nipin. Pasi i vdiq bashkëshorti, nusja iku nga banesa për të parë jetën e vet. Nuk na vjen mirë, është një gjë që se komentoj dot. Mërzia e humbjes së çunit është, nga dëshira për ta pasur nipin afër, ngaqë humbi djalin nipi sikur ia zëvendëson pak a shumë vendin e atij. Nga kjo mund të jetë nisur.

Nuk ka shans për rrezikshmëri. Nuk është rruga e duhur kjo, mendimi im personal. Por ajo e ka marrë që e do shumë, jo për ti bërë dëm. Për jetën e fëmijës nuk përbën rrezik. Ai mund të jetë ndaluar për rrethanat, por jo se ka dijeni. Shteti do të bëjë punën e vet. Kosova dhe Kukësi është afër, ne njohim njerëz andej por nuk kemi hyrje-dalje të shpeshta”.

KONFLIKTI

Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, bazuar edhe në dëshminë e nënës së fëmijës së rrëmbyer, është mësuar se ajo ka vendosur të largohet nga shtëpia e burrit të ndjerë dhe të kthehet në shtëpinë e të atit. Ajo ka refuzuar tu ketë thënë se ka vendosur të nis jetë tjetër, por më herët mes saj dhe gjyshërve të fëmijës së saj kishte patur përplasje për kujdestarinë e fëmijës. Ile Gjuni, vetëm 23 vjeç, pretendon se kishte vendosur tua linte fëmijën çdo fundjavë prindërve të bashkëshortit të saj, që ka humbur jetën në aksidentin e tmerrshëm të mëngjesit të 23 shkurtit të vitit të kaluar. Avni Gjuni ishte pasagjer në një automjet, ku drejtuesi, u tha se nga shpejtësia humbi kontrollin dhe u përplas në bordurë dhe pastaj në kangjellat e hekurta në anësoren e rrugës, te Kthesa e Kamzës.

Ile Gjuni i ka thënë policisë se kishte vendosur që çdo fundjavë të ua dërgonte fëmijën dhe madje edhe t`i takonte gjyshërit e tij, por të shtunën e 13 prillit kur ka shkuar të qëndroje me ta, ajo nuk i ka gjetur, as ata dhe as të voglin e saj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *