Raporti tronditës: 216 mijë fëmijë të abuzuar në Kishën Katolike Franceze!

Një raport mbi abuzimin seksual në Kishën Katolike të Francës thotë se rreth 216 mijë fëmijë ishin viktima të abuzimit që nga viti 1950. Dokumenti prej 2.500 faqesh i përgatitur nga një komision i pavarur u botua të martën dhe dokumenton dekada abuzimesh dhe fshehje krimesh.

Presidenti i komisionit, Jean-Marc Sauvé, tha në shtypin francez se rreth 3 mijë abuzues të fëmijëve, dy të tretat e tyre priftërinj, kanë punuar në kishë gjatë 70 viteve të fundit.

Gjatë prezantimit të raportit, presidenti i komisionit që e hartoi, Jean-Marc Sauvé, tha se fëmijët kishin më shumë rrezik të abuzoheshin në ambientet pranë Kishës Katolike, sesa në shkollat publike apo kampet verore. “Problemi ka qenë sistematik dhe abuzuesit nuk ishin vetëm “disa dele të zeza” të ndara nga tufa”, tha Sauvé për CNN.

Olivier Savignac, kreu i shoqatës së viktimave “Parler et Revivre” (Fol dhe fol përsëri), i cili kontribuoi në hetim, i tha “The Associated Press” para publikimit të raportit se numri i vlerësuar i viktimave në raport arrin 216 mijë.

Komisioni punoi për dy vjet e gjysmë, duke dëgjuar viktimat dhe dëshmitarët, gjithashtu duke studiuar arkivat e kishës, gjykatës, policisë dhe shtypit që prej vitit 1950.

Një linjë telefonike e hapur në fillim të hetimit mori 6.500 telefonata nga viktima të dyshuara ose njerëz që thanë se e njihnin një viktimë.

Sauvé tha se 22 krime të dyshuara që ende mund të ndiqen janë përcjellë tek prokurorët. Më shumë se 40 raste që janë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht, por përfshijnë autorë të dyshuar që janë ende gjallë, u janë përcjellë zyrtarëve të kishës.

Komisioni dha 45 rekomandime se si të parandalohet abuzimi. Këto përfshinin trajnimin e priftërinjve dhe klerikëve të tjerë, rishikimin e Ligjit Kanonik (kodi ligjor që Vatikani përdor për të qeverisur kishën) dhe nxitjen e politikave për njohjen dhe kompensimin e viktimave.

/Burimi: The Associated Press/  Përshtati Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *