Raporti: Rusia ndikuese në dialogun Kosovë-Serbi!

Që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), Rusia ka pasur ndikim në këtë proces, thotë raporti i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), i prezantuar me titullin “Ndikimi i Rusisë në Dialogun Kosovë-Serbi”, raporton Anadolu. Ky raport i cili përpiqet të sqarojë rolin dhe ndikimin e Rusisë në kuadër të kontekstit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së në Bruksel, u bë me qëllim të hetimit gjithëpërfshirës dhe të nuancuar të procesit të dialogut, duke shqyrtuar pasojat e tij më të gjera gjeopolitike dhe të sigurisë. Lulzim Peci nga KIPRED, thotë se Rusia ka qenë historikisht ndikuese në dialogun Kosovë-Serbi dhe se Moska zyrtare nuk e sheh procesin e dialogut të izoluar nga qëllimet e saj të përgjithshme gjeopolitike në Ballkan, posaçërisht nga qëllimi për ta mbajtur Serbinë dhe serbët brenda orbitës ruse dhe për ta penguar zgjerimin e BE-së dhe të NATO-s në rajon.

Ai thotë se lufta në Ukrainë e ka nxjerrë në shesh thellësinë e lidhjeve midis Rusisë dhe Serbisë dhe se Rusia përpiqet ta përdorë rastin e Kosovës si mjet pazari për të nxjerrë përfitime në Ukrainë dhe Gjeorgji, ashtu që t’i legjitimojë luftërat e veta.

“Rusia e ka pozicionuar veten që të ndikojë në dialog në mënyrë të tërthortë. Nuk mundet në mënyrë direkte, por në mënyrë të tërthortë dhe mbi të gjitha duke motivuar Serbinë për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e hapave vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thekson Peci.

Sipas tij, edhe Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i saj në Ohër i vitit 2023 është kundërshtuar nga Rusia, marrë parasysh faktin që për këtë edhe vet Serbia ka dërguar letër në BE duke thënë se nuk do ta pranojë këtë marrëveshje, duke insistuar se asnjë zgjidhje e drejtë nuk mund të arrihet pa Rusinë dhe Kinën. Bekim Sejdiu, një nga autorët e këtij raporti, tha se Rusia e cila nuk është më pjesë thelbësore e dialogut, nuk dëshiron që Perëndimi të hartojë një zgjidhje për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por dëshiron që çështja të kthehet në Kombet e Bashkuara.

“Së pari, do ta dëshmonte qartë zbehjen e ndikimit rus në arenën globale përgjithësisht por duke përfshirë edhe Ballkanin, së dyti, do të konsolidonte shtetin e Kosovës, si një nga vendet më pro-perëndimore të rajonit, dhe së treti, do të ishte një shtytëse e fortë për orientimin pro-perëndimorë për Serbinë. Është shumë e qartë që asnjërën nga këto Rusia nuk e dëshiron. Prandaj, qëllim parësor është që dialogu mos të ketë sukses sipas dizajnit të Perëndimit”, theksoi Sejdiu.

Raporti thekson se Moska zyrtare dëshiron që çështja e Kosovës të mbetet një konflikt i pazgjidhur i cili mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit, në një zgjidhje e cila është e pranueshme për Serbinë. Sipas po këtij raporti, mbyllja e problemeve Kosovë-Serbi konsiderohet nga Rusia si nxitje e madhe për orientimin e Serbisë drejt Perëndimit dhe rrjedhimisht braktisje e orbitës ruse.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *