Rama: Shqipëria ka hyrë në hartën turistike të Evropës, shajnë vetëm shqipfolësit pa din e iman

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka folur në lidhje me sezonin turistik thuajse të mbyllur duke thënë se Shqipëria tanimë ka hyrë në hartën turistikë të Evropës pa shpenzuar një qindarkë për reklama në media.

Ai u shpreh se në Shqipëri kanë qenë të njëjtët qytetet si 10 vite më parë, por këtë vit “nuk ka pasur javë të mos shkruhej për Shqipërinë turistike”.

Sipas tij të vetmit që flasin keq për zhvillimin turistik janë “shqipfolësit pa din e pa iman”, duke iu referuar palës së opozitës në vend.

“Turistët më evropianë që vinin në Shqipëri më parë ishin emigrantët tanë. Për të tjerë Shqipëria ishte sinonimi i prapambetjes. Në pasqyrat e shtypit botëror lajmet e mira për vendin ishin si pika uji në shkretëtirë. Për të tjerë ishte vend zhgënjyes për pushime. Industria turistike ishte inekzistente.

Këtë vit që në pranverë nuk ka pasur javë të mos shkruhej për Shqipërinë turistike. Këtë verë shkrimet apo kronikat në mediat më të mëdha të huaja e bombarduan publikun e tyre me tone plot simpati për turizmin shqiptar. Këto qytete ishin edhe para 10 vitesh, por turizmi asokohe ishte një kockë pa mish. Në Berat nuk kishte as rrugë, në Korçë ishte vetëm një hotel. Gjirokastra ishte copë-copë.

Rritja e vazhdueshme në dekadën e parë të qeverisjes sonë, kulmoi këtë vit me një bum turistik në Korçë, Berat e Gjirokastër. Kjo u ndje edhe në qytetet larg bregdetit, ku nuk imagjinohej turizmi. Kur flisja për Tepelenën turistike më besonte vetëm Tërmeti me Golikun, që donte të mblidhte polifonistët për ndonjë këngë. Këtë verë te uji i ftohtë i Tepelenës shkohej vetëm me rezervime, ndërsa tutje ndesheshe me njerëz që të përshëndesnin në gjuhë të huaj.

Tirana, kryeqytet ynë i betonizuar dhe i mbytur nga kullat e krimit, ku thuhet se nuk merret frymë nga ajri më i ndotur në botë. Tirana u pushtua nga turistët këtë vit, duke sjellë një lumë të pataksuar parash nga dhomat e dhëna me qira përmes AirBnb.

Aeroporti i Tiranës, gati njësoj me pasagjerë sa aeroporti i Beogradit këtë vit. Kush mund ta imagjinonte kur ai mbreti i aeroporteve mund t’ia linte fronin Rinasit që mund të kapërcejë 6 milionë pasagjerë këtë vit. Ka vetëm një fjalë për këtë arritje, fantastike. Jam i gëzuar shumë, por jo i lumtur. Kur di që Majorka ka 1 milionë banorë dhe 18 milionë turistë, s’mund të jem i lumtur. Tirana dhe Shqipëria sot kanë hyrë në hartën turistikë të Evropës pa shpenzuar një qindarkë për reklama në media, ndërsa keq flasin vetëm shqipfolësit pa din e pa iman. Ata që ne na duan të vdekur, aq sa i bien mbarë e prapë Shqipërisë duke u folur shqiptarëve që nuk duan as t’i lexojnë”, u shpreh ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *