Rama paralajmëron valë shkarkimesh: Ka drejtorë shkollash që janë ‘out’! Kush s’është i aftë të hap krahun!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një valë ndryshimesh dhe shkarkimesh të drejtuesve të shkollave dhe gjimnazeve të vendit, pasi tha se ka ende drejtorë, mbi të gjitha ‘burra’ që “u ka kaluar vakti me kohë”. 

Sipas Ramës, në shkolla mund të gjesh mësuese që kanë aftësi për të drejtuar jo vetëm institucionin ku punojnë por edhe ministinë e Arsimit.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësitë e tij për drejtuesit e shkollave, të cilët tha se një pjesë e tyre janë “out”, për pasojë kërkoi një ndërhyrje urgjente!

Në prezantimin e buxhetit për vitin 2022, Rama paralajmëroi se të gjithë drejtorët e shkollave do të futen në filtër dhe do të vijojë detyrë ai që e meriton, në të kundërtën të hapin krahut. Edhe në këtë rast, zëvendësuesit do të jenë gra, për të cilët Rama foli me superlativa.

“Skanim i plotë, objektiv i të gjithë drejtuesve të shkollave dhe kush e meriton të përshëndetet dhe kush jo, duhet të hapë krahun për t’ia lënë vendin dikujt tjetër dhe në çdo shkollë ka mësuese që mund të drejtojnë Ministrinë e Arsimit e jo më shkollën e tyre“, tha Rama.

Teksa pranoi se qeveria nuk ka bërë shumë punë për të pasur një nivel të lartë drejtuesish të shkollave dhe larg lidhjeve politike për t’u futur në këtë punë, nënvizoi se një situatë e tillë me drejtimin e shkollave është e dukshme për 95% të mësuesve dhe mësueseve.

“Ne s’kemi bërë shumë në raport me të shkuarën për drejtimin e shkollave. Kemi drejtues shkollash që nuk e meritojnë të drejtojnë shkollat, që janë nën nivelin e pjesës më të madhe të mësueseve, me femëroret kjo që të jemi të qartë dhe mësuesve të një kolektivi mësimor.

Kemi drejtues shkollash që janë out, out, dhe këtu është e qartë për mua, për ministrën, duhet të jetë shumë e qartë për drejtorinë e përgjithshme që duhet ndërhyrë në mënyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht.

Drejtuesve që u ka kaluar me kohë e me vakt koha të largohen. Dhe në drejtimin e shkollave s’ka rëndësi ça bindjesh politike ke, se nga je, ca statusi financiar ka bashkëshorti ose se cfarë lidhjesh ka familja, rëndësi ka aftesia dhe merita.

Te drejtuesit s’mund të thuhet e njëta gjë dhe besoj se këtë e aprovojnë 95% e të pranishmeve që janë mësuese dhe mësues dhe s’janë drejtues”.

Për drejtorët e shkollave, duhet të vlejë i njëjti rregull, merita dhe jo kahu politik, theksoi kreu i qeverisë. Po ashtu Rama tha se do të ketë një fond në buxhetin e shtetit që do të shkojë për problematika të ndryshme në shkolla që lidhen mes orës së mësimit dhe shtëpisë, ndërsa foli për një plan kombëtar ku nxënësve do t’i ofrohen mundësi për të ndjekur artin apo dhe sportin.

“Kemi vendosur për herë të parë në buxhetin e shtetit, një financim të konsiderueshme për të stimuluar shkollat, nxënësit, mësuesit, prindërit, që me këtë pjesë të buxhetit të fillohen të adresohen boshllëqet mes orës së mësimit dhe shtëpisë, duke iu dhënë mundësi nxënësve mësim në art apo dhe për sportin. Kjo kërkon një plan kombëtar për të cilin po punohet.

Do të jetë i gatshëm për drejtoritë e shkollave në pranverë. Buxheti dhe financimi i vendosur për këtë program do të fillojë të shfrytëzohet menjëherë. Kemi raste inkurajuese të shkollave që e bëjnë këtë gjë. Nxënësit në vend që t’ia lënë boshllëkut që t’i ofrojë rrugë të mbrapshta, t’ia ofrojmë ne shtigje përmes sportit, apo arteve të ndryshme.

Të jenë atraktive, se është e pakonceptueshme që të futesh në laboratore dhe të bësh teoritë. Laboratorët e informatikës, është problem, sot kemi shumë mësues që zhvillojnë mësimin në laboratorin e informatikës që nuk janë të arsimuar për informatikë, por vijnë nga lëndë të tjera që me siguri e kanë bërë punën e tyre për të dhënë mësimin, por nuk është kjo që ne duam kur flasim për cilësi në mësim dhënie dhe ana tjetër është logjistika me kompjuter që janë në inventar, por që nuk rezultojnë në të vërtetë”, tha kryeministri.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *