PS propozon Komision kundër dezinformimit rus e kinez. Zbardhet kërkesa!

Partia Socialiste kërkoi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm në Kuvend, që do të ketë në fokus ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike në vend.

Sipas kërkesës së PS-së Komisioni i Posaçëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

“Komisioni i Posaçëm duhet të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi, në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to.’- thuhet në kërkesën e PS-së.

Bazuar në gjetjet e kësaj analize, Komisioni i Posaçëm duhet të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjëshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet me qëllim bërjen sa më transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajten e lajmit/informacionit, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.

Komisioni i Posaçëm duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nxitur një debat të vazhdueshëm mbi rritjen e përgjegjësisë për të luftuar ndërhyrjen e huaj në të gjitha proceset demokratike, duke përfshirë dezinformimin, jo ekskluzivisht vetëm nga autoritetet publike, por edhe në bashkëpunim me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe mediave sociale dhe sektorin privat në përgjithësi, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rolin, detyrën dhe përgjegjësinë që këta subjekte kanë në përballjen e ndërhyrjeve të huaja, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për të mos cënuar lirinë e shprehjes.

Komisioni i Posaçëm duhet t’i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të veprimtarisë me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat administrative dhe ndërhyrjet në legjislacion, që duhet të përmbajë edhe masa konkrete për të kundërshtuar fushatat e informacionit dhe komunikimin strategjik të vendeve të treta keqdashëse, përfshirë ato që kryhen nëpërmjet aktorëve dhe organizatave vendase, që dëmtojnë qëllimet e Republikës së Shqipërisë dhe që janë krijuar për të ndikuar negativisht opinionin publik me qëllim për të minuar angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.“, thuhet në kërkesën e PS-së

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *