Protesta e 8 janarit për PD-në/ Kokalari bën paralajmërimin e fortë: Nëse derdhet gjak në rrugët e Tiranës… Po çfarë do të ndodhë?  

Mbështetësit e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit historik të PD-së, Sali Berisha, kanë njoftuar dhe po përgatisin në të gjithë vendin një protestë të madhe që ata do ta organizojnë për të marrë atë që demokratët e konsiderojnë si të “uzurpuar” me forcë nga deputeti Basha, selinë e partisë.

Nisur nga kjo, më 8 janar, grupimi i Sali Berishës ka thirrur një protestë kombëtare që do të mbahet përpara selisë së Partisë Demokratike.

Protesta e paralajmëruar për më 8 janar në mesditë, e cila ka nisur që të organizohet për të pasur masivitet, do të mbajë sloganin “Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve”.

Për këtë protestë, aktivistja konservatore Evi Kokalari, ka bërë një paralajmërim me anë të një postimi në llogarinë e saj në rrjetet sociale “Instagram” dhe “Facebook”.

Por nisur nga zërat se protesta e organizuar nga mbështetësit e Berishës, mund të ketë edhe akte dhune, nëse dyert e PD-së nuk do të hapen, aktivistja Kokalari ka bërë një paralajmërim të fortë.

Kokalari paralajmëron “një mik” se nëse të shtunën do të derdhet gjak në rrugët e Tiranës, ajo nuk do të ndalet derisa t’i vërë përgjegjësit përpara drejtësisë.

“Nëse më 8 janar do të derdhet gjak në rrugët e Tiranës, shenjat e gishtave të tu do të jenë kudo dhe të premtoj se nuk do të ndalem derisa të mbahesh plotësisht përgjegjës, për kaosin që ke shkaktuar në Shqipëri”,- thuhet në statusin në anglisht të Kokalarit.

Ndërkohë të tjerë zëra, thonë edhe se kryedemokrati Basha, për të mbrojtur selinë e Partisë, ka si një ndër skenarët edhe thirrjen e disa ambasadorëve të vendeve perëndimore atë ditë në zyrën e tij.

Kjo si një masë parandaluese që selia të mund të merret me forcë nga mbështetësit e Berishës. Por atë ditë nuk përjashtohet as rrethimi i selisë së partisë nga forca të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, e cila mund të marrë në ruajtje zyrat e Partisë Demokratike.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *