Probleme në kampin e kuq/ Partizani shkon me disa mungesa të rëndësishme në transfertën e Kukësit

Partizani ka nisur ditën e djeshme përgatitjet për sfidën e së premtes ndaj Kukësit, ku kërkohet me patjetër fitorja, për shkak se përpara është Tirana dhe ‘të kuqtë’ duan të shkojnë në derbi me pretendimet për të rimarrë kreun.

Ditën e djeshme të gjithë lojtarët kanë zbarkuar në stërvitje, teksa seanca nuk ka pasur shumë tekniko-taktikë, por lojëra dhe ushtrim fizike për të mbajtur lojtarët në ritëm maksimal.

Nga sot Kolela do të nisë përgatitjen taktike të ndeshjes me Kukësin, që është një nga transfertat më të vështira në këtë periudhë të sezonit. Tekniku nuk është tërësisht i qetë, pasi “demat” pritet të kenë disa mungesa për këtë sfidë.

Andi Hadroj dhe Eljon Sota janë mungesa të sigurta, pasi kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Mbrojtësi fierak ka pësuar një dëmtim muskulor dhe gjithsesi nuk do të ishte i gatshëm për Kukësin, teksa do të bëjë maksimumin të arrijë të luajë në sfidën me Vllazninë në Kupë.

Nga ana tjetër edhe Sabit Bilali, mesfushori i ardhur në janar, pësoi një dëmtim para shijakasve dhe gjithashtu rrezikon sfidën me Kukësin. Paulo Buxhelaj gjithashtu ka pësuar një dëmtim dhe është në garë me kohën për të luajtur ndaj Kukësit./PanoramaSport

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *