Prezanton buxhetin por përmend Tiren/ Kryeministri Rama flet për rryshfetin në shëndetësi: Mos flisni pas pilafit, por vini kujën…

Në prezantimin e buxhetit 2022 për Ministrinë e Shëndetësisë, kryeministri Edi Rama, nuk ka lënë pa përmendur çështjen e sanitares Tire Alldervishi, e cila u prezantua si infermiere dhe mori një shumë lekësh nga e afërmja e një pacienteje të infektuar me Covid-19, në mënyrë që t’i shërbente gjatë qëndrimit në spital.

Kryeministri Rama, tha se, e përmendi që të mos merret mësysh dhe pranoi se ka ende në sistemin e shëndetësisë persona që i përkasin kategorisë së Tires, por shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve nuk janë të tillë.

Ndërsa për personat që paguajnë para për të marrë shërbimin në spital, Rama i sugjeroi që të mos flasin “pas pilafit”, por “të rrinë aty e të vënë kujën e të sjellin dynjanë e tërë dhe të shikojmë pastaj, fitojnë ata apo fiton Tirja”.

Rama: Sot nuk del dot njeri të thotë i telefonova urgjencës dhe nuk më erdhi. Po e tha emrin dhe mbiemrin, shkohet në kompjuter, gjendet dhe i tregohet se kur ka shkuar autoambulanca tek dera e vet. Kjo është diçka që të tjerët në shumë vende e kanë por për ne ishte e paimagjinueshme. Thënë të gjitha këto, nuk diskutohet që dhe duhet përmendur që të mos merret mësysh që “Tirja” doli nga ky mjedis, ashtu sikurse nuk diskutohet që Tirja nuk ishte meteor që ra nga qielli, por i takon një kategorie të caktuar brenda sistemit.

Ama 2 gjëra ka të sigurta, e para shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve nuk i përkasin asaj kategorie dhe ajo kategori do të vijë vit pas viti duke u tkurrur. Duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët që shajnë në bllok. Nuk janë njësoj, askund nuk janë të gjithë njësoj, asnjëri nuk i ngjan tjetrit. Në vend që të thonë pas pilafit se unë i dhashë lek këtij e atij, të thonë unë nuk paguaj dhe të rrinë aty e të vënë kujën e të sjellin dynjanë e tërë dhe të shikojmë pastaj, fitojnë ata apo fiton Tirja.

Por nuk mund të jetë kështu që fenomeni i ryshfetit u luftoka vetëm nga lart dhe për ryshfetin e Tires duhet të baltoset jo gjithë ushtria e mbrojtësve të jetës, por bashkë me ta edhe gjithë çka janë deri tek unë apo te më i fundit fare kudo që të jetë. Nuk shkon. Kjo ishte për tu thënë jo se do të ndryshojë gjë por dua t’ju siguroj që do të vazhdojmë kokëfortësisht ta mbështesim punën tuaj, t’ju mbështesim ju me gjithçka mundemi dhe tek ajo pjesa, se më kujtohet jo vetëm herën e parë dhe të dytën kur flisja për rritje pagash, nuk më besonit dhe s’kishit faj. Do i bëjmë ato që kemi thënë, paga juaj do të rritet me 40%, nga shefat e pavioneve tek infermierja më e thjeshtë.

Shpresoj që të hyjmë dhe në pagat plus. Këtu unë flas për pagën bazë. Autonomia spitalore nuk është ulje mbi pagën bazë, është plus. Kështu që varet dhe krijon sensin e bashkëpronësisë të spitalit. Të mos vendoset siç bëhej dikur, por sot është ndryshe.

/Burimi: TCh/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *