Plagosja e të riut në Lezhë/ Identifikohen autorët

Policia e Lezhës ka arritur të identifikojë personat që mbrëmjen e djeshme dhunuan dhe plagosën me armë zjarri 22-vjeçarin Aleks Laska. Leandro Frroku, 29 vjeç, Xhuliano Frroku, 26 vjeç dhe Agusin (Shahini) Mehmeti 27 vjeç janë shpallur në kërkim.

I plagosuri në dëshminë e tij ka bërë të ditur se gjithçka nisi brenda një bilardoje që ndodhet rreth 100 metra larg komisariatit dhe sipas tij shkak është bërë debati gjatë lojës. Ai ka thënë se nuk ka njohje me autorët dhe se i ka parë vetëm si fytyra.

Pasi e kanë dhunuar, njëri nga 3 të rinjtë e ka qëlluar me armë zjarri në pjesën e këmbës dhe më pas janë larguar. Pas ngjarjes, 22-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore, ku ndodhet edhe jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

“Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një shtetas, mbrëmjen e djeshme, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.

Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.

Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.

Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *