Përse tani?

Nga: Ihsan Maçi

Një analizë rreth një denoncimi të vonuar dhe të çuditshëm

Zonja Kryemadhi në një apologji të gjatë mediatike, denoncoi sot aferën e inceneratorit të Tiranës. Një sipërmarrje kjo e miratuar dhe e vënë në zbatim përgjatë qeverisë PS-LSI.

Një sipërmarrje e nisur, përgatitur e nëshkruar nga ministri i LSI Lefter Koka.

Pyetjet që lindin për këtë denoncim janë shumë, por e para është: Përse tani?

Lefter Koka dhe asnjë kokë tjetër që shërbeu në qeveri si emërtim i LSI nuk kishin këllqe të bënin kontrata të tilla pa miratimin e kryetarit të Partisë, pra Ilir Metës. Çfarë po përpiqen të thotë sot Monika, se Lefteri nuk pyeti Metën?

Kjo është një teori që pakkush e beson.

Por e lemë pak mënjanë z. Koka. Monika Kryemadhi sot gjeti sërish strehë tek emri i Ylli Manjanit. Fiks si në 2017, kur megjithëse e hoqën si ministër e citonin për deklarimet e tij parimore kundër kanabizimit. Idem edhe sot, nuk e kanë në listat e tyre, por krenohen me qëndrimet e tij sërish parimore, që s’kanë lidhje as me inceneratorin, as me Lefter Kokën e as me Edi Ramën, por thjesht me kryerjen e detyrës me korrektësi ligjore.

Prova që e bën më të çuditshme këtë reagim të vonuar të LSI është fakti që Manjanin që ishte korrekt e shkarkuan, ndërsa Lefterin që e shajnë sot e mbajtën ministër deri ditën e fundit.

Cilën LSI të besojnë njerëzit, atë të shkarkimit të njeriut korrekt apo të mbajtjes së ministrit “të korruptuar”?

Besueshmëria nuk krijohet sipas qejfit, por sipas sjelljeve në dobi të interesit publik dhe konsistencës në qendrime zyrtare politike. LSI nuk mund të fshehë përgjegjësinë politike të saj përgjatë qeverisjes me PS, nën sqetullat e ministrave të saj.

Ministrat nuk kanë mundur të marrin vendime me kokën e tyre. Dihet që Manjani ka qenë i vërtetë dhe unik në qëndrimet e tij publike, ndaj dhe u shkarkua. Dmth Meta që shkarkon një ministër për deklarata, pra për fjalë në fund të fundit, nuk e paska ditur që Lefter Koka duhej shkarkuar për kontrata!

Ndërsa çuditë e tjera vijojnë, teksa denoncohet Erioni “që kishte punuar”. Një nga punët e tij është dhe inceneratori.

Dhe në fund në SPAK, LSI kallëzon veten.

Kjo analizë na sjell një konkluzion. Lëvizjes Socialiste për Integrim po noton në një kakofoni politike, nga e cila nuk e nxjerr dot firmosja publike e një padie.

E për ta mbyllur sjell në vëmëndje futbollistin e kombëtares Gjermane Mesut Ozil i cili kur u largua nga ekipi përfaqësues, në letrën drejtuar Federatës Gjermane të Futbollit, ndër të tjera shkruante: “…është e papranueshme që kur fitojmë, ne jemi gjermanë, ndërsa kur humbasim jemi emigrantë…”!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *