Përfundon pa marrëveshje takimi për dinarin në Bruksel!

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar pa ndonjë rezultet takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb. Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi pas takimit ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen. Sipas tij propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo” është shprehur Bislimi.

Ai ka deklaruar se mendon që pala kosovare ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi. Bislimi ka theksuar se në takimin e se hënës të dyja palët kishin për detyrë që t’i arsyetonin propozimet e tyre.

“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se problemi nuk qëndron te simbolika që Serbia thotë se dinari është simbol i pranisë së Serbisë në Kosovë. “Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi. Ai ka thënë se beson që nëse ka vullnet politik nga të dyja palët shumë lehtë mund të gjendet një zgjidhje në takimin e radhës.

E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka treguar “fare vullnet politik” për të arritur marrëveshje.

Ai ka thënë se me palën kosovare ka pasur diskutim afro tri orë e gjysmë e më pas është vendosur në takim me ndërmjetësuesit që rundi i radhës i diskutimeve të mbahet më 4 prill.

“Mjafton të them se nga pala tjetër nuk ka pasur asnjë mund që ajo letër të mund të quhej propozim që shkon në drejtim të një marrëveshje kompromisi. E kjo është ajo që më brengos shumë. Nuk e di në cilin drejtim po shkon dialogu. Më brengos e ardhmja e popullit serb në Kosovë e M, kur e sheh se pala tjetër s’ka vullnet politik për të arritur deri te një zgjidhje”, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të diskutojnë deri “në atomin e fundit të energjisë” për të arritur një dakordim.

“Pas tri orë e gjysmë diskutime direkte me palën e Prishtinës, ku kemi folur për propozimet, më pas pati edhe diskutime biletarale me BE-në, e dakordimi është që të vazhdojmë të bisedojmë në Bruksel më 4 prill”, tha Petkoviq.

Ai ka thënë se “BE-ja ose s’po mundet ose s’ka vullnet për të gjetur zgjidhje”.

Gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet. Ende nuk ka prononcime për media dhe nuk dihet nëse ka pasur pajtim për çështjen e dinarit. Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *