“Për 24 orë jep dorëherqjen ose 60 plumba i ke në kokë o kur**”/ Pas shpërthimit me tritol, Duka tregon emrin e personit që e kërcënoi

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dha një deklaratë të shkurtër për mediat pasi një sasi lënde shpërthyese iu vendos në derën e banesës së tij, mbrëmjen e së hënës.

“Ka qenë familja ime, djali, gruaja, kurse unë tani erdha. Uroj të jetë rastësi. Nuk kemi dëmtime në njerëz, porta është goxha larg nga banesa, por shpërthimi ka qenë goxha i madh. Kamerat e shtëpisë edhe kamerat e rrugës i kanë filmimet e personit që ka vënë…duket një njeri me kapuç i cili është afruar te porta dhe ka vënë dinamitin te ai mekanizmi që hap e mbyll portën dhe është shpërthyer. Shif sa policë keni këtu, shif sa hetues keni këtu, këta janë të gjithë të aftë dhe besoj se maksimumi deri nesër do ju bëjnë të ditur se kush e ka vënë. Këtu nuk ngel krim pa u zbuluar”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse ka dyshime përse i kanë vendosur tritol jashtë banesës, Armand Duka u shpreh: “Unë s’jam polic, unë jam ekonomist. Kur të bëhem polic do kem dyshime se për kë mund ta ketë bërë”.

Si e konsideroni ju këtë ngjarjen?

Këtë e lidhin me konfliktin e federatës e kryetarin e Bashkisë, por unë uroj shumë mos ketë lidhje.

Ju keni marrë një kërcënim personal për jetën?

Po e kam marrë. Jo nuk e kam denoncuar.  Por është pak me fjalë që… ‘Ti luan me dy standarde, ti kur luan me lekët tona për 24 orë jep dorëherqjen ose 60 plumba i ke në kokë o kur** se betimi u bë i pakthyeshëm’. I ktheva një përgjigje që mjafton dhe me një …por nuk shkonte. Bëra një hetim vet ishte një numër që është përdorur vetëm njëherë dhe është karikuar në një dyqan këtu në Durrës. Ka një emër dhe ka 1000 mijë numra. E kisha harruar këtë se kam pasur ngjarje. Emri i tij ishte Sabian Rrapushi. Në polici nuk e kam denoncuar, se nuk kisha ndonjë shpresë se policia do bëj ndonjë gjë. Dhe tani këto 30 polica nuk do bëjnë ndonjë gjë, autori bredh me kalë si te “Pylli i Lirisë”.

Mbrëmjen e djeshme, u vendos tritol në banesën e kreut të FSHF-së në Durrës. Shpërthimi ndodhi në orën 22:00 dhe pati vetëm dëme materiale.

Ngjarja tronditëse vjen në kulmin e ‘luftës’ mes FSHF-së dhe Bashkisë së Tiranës teksa sot u zgjodh kreu i ri i SHRS “Tirana” Krenar Alimehmeti. Kjo zgjedhje u kundërshtua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili premtoi se do të padisë sekretarin e FSHF Ilir Shulkun dhe sekretarin e SHRS “Tirana” me pretendimin se janë manipuluar listat e delegatëve të kësaj shoqate.

Po sot, FSHF publikoi një audio të Veliajt në mbledhjen e djeshme me anëtarët e shoqatës rajonale sportive të Tiranës, ku ofendonte dhe trysnonte personat e mbledhur për të mos lejuar zgjedhjen e Armand Dukës në krye të FSHF. Ndërkohë, ai ka premtuar se do të angazhojë SPAK-un Prokurorinë e Tiranës dhe organe të tjera ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare për të hetuar Dukën për korrupsion dhe pastrim gjatë 20 viteve në krye të futbollit shqiptar.

I gjithë ky konflikt vjen në kohën kur FSHF po përgatitet për zgjedhjen e presidentit në 2 mars. Armand Duka është shprehur publikisht se do të kërkojë një mandat të gjashtë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *