Operacioni “Shpirti”/ Dëshmia e skafistëve të penduar që fundosi ish-shoqëruesit e Tahirit për hashashin

Të penduarit e drejtësisë, skafistët Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini, rrëfimet e të cilëve fundosën zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe policisë, përfshirë dhe dy ish -pjesëtarët e grupit të shoqërimit të Ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, thonë se kanë patur mbështetje të fortë në policinë e Durrësit dhe e kryenin të qetë aktivitetin e tyre të trafikut të drogës.

Nga dosja hetimore e SPAK, rezulton se pasi kanë trafikuar një sasi të madhe hashashi, ata janë kthyer në Shqipëri dhe në janë ndaluar pasi kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, por me ndërhyrjen e Sajmir Kurtit, drejtor në Bashkinë e Kavajës, janë lënë të lirë.

“Me informuan se nga porti i Durrësit me nxori Saimir Kurti”, -shpjegon skafisti. Seferi implikon policinë, kur deklaron se zyrtarët e saj kishin dijeni për përfshirjen e tij në trafik droge.

“Policia e Kavajës ishte në dijeni për një udhëtim me drogë të bërë nga unë për në Itali, bashkë me Ajdinin. Më lanë të lirë, pasi djali im pagoi 6 mijë euro dhe ia dorëzoi personalisht kreut të Antikrimit Kavajë, që mesa mbaj mend quhet Mandi, ndërkohë që unë duhet të isha arrestuar për atë që kisha bërë. Policia e Kavajës ishte nën këmbët e Saimir Kurtit”, -e mbyll dëshminë skafisti i penduari. Ai thotë më tej, se njëri nga zyrtarët e policisë qe e mori në pyetje, nuk i mori më para, por i kërkoi që të bënin trafik bashkë, gjë që nuk mundën të realizonin.

Dy skafistët iu dhanë hetuesve fakte sipas të cilëve Agustin Deda dhe Hekuran Marku kishin trafikuar mbi 1 mijë kg hashash nga Shqipëria drejt Italisë.

Elton Hamzai, është një tjetër i penduar i drejtësisë që rrëfeu për Antimafian Italiane, se grupi kriminal ku ai bënte pjesë kishte marrë garanci nga policia lokale për të kultivuar dhe trafikuar drogë drejt Barit. Rrëfimet e 4 të penduarve ndihmuan Antimafian dhe SPAK të të godasë në kuadër të operacionit ‘Shpirti’, pjesëtarët e katër grupeve që trafikuan 6 tonë hashash përgjatë viteve 2014 2017.

Në mesin e 28 të dyshuarve, është prokurori i Vlorës, Maksim Sota, emri i të cilit u përmend nga një trafikant droge, me të cilin kishte jetuar në një shtëpi, si dhe zyrtarë policie e trafikantë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *