Operacione në Krujë, Lezhë e Shkodër, asgjësohen 6260 rrënjë kanabisi

Policia ka vijuar me operacionet anti-kanabis në vend. Në tre megaoperacione, si rezultat i kontrolleve dhe inteligjencës policore janë asgjësar 6260 rrënjë kanabisi.

Në Krujë u gjetën 875 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa: 580 fidanë në fshatin Shkretë dhe 295 fidanë në malin e Brretit.

Në Shkodër, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 4-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në fshatin Sumë, njësia administrative Pult, u gjetën 830 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Ndërkohë në Lezhë u gjetën dhe asgjësuan 4557 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Njoftimi i policisë

Vijojnë kontrollet masive të territorit, nga toka dhe ajri, si dhe megaoperacionet policore kundër tentativave për të kultivuar cannabis sativa.

Në Krujë, Lezhë dhe Shkodër janë zhvilluar 3 megaoperacione, si rezultat i kontrolleve dhe inteligjencës policore.

Asgjësohen në total 6262 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa. Strukturat hetimore të Policisë vijojnë veprimet e thelluara për përcaktimin e autorësisë së këtyre rasteve.

Në Krujë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 9-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u gjetën 875 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, konkretisht: 580 fidanë në fshatin Shkretë dhe 295 fidanë në malin e Brretit.

Në qarkun Lezhë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u gjetën 4557 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht: 1700 bimë në fshatin Gernac, Milot; 1335 bimë në fshatin Selitë, Milot; 1000 bimë në fshatin Kallmet, Lezhë; 289 bimë në fshatin Lester, Milot dhe 233 bimë në malin e Shëngjinit.

Në qarkun Shkodër, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 4-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në fshatin Sumë, njësia administrative Pult, u gjetën 830 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Megaoperacionet policore antikanabis “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, vijojnë.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse pranë gjykatave në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Policia e Shtetit apelon vendosmërisht për qytetarët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë çdo rast kur mund të kenë indicie për të.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *