Një muaj prova për eliminimin e biznesmenit, vëllai binjak i Ernejt Shytit zbulon misterin e biçikletës së përdorur për vrasjen

Janë dashur një muaj vrojtime, për të kryer në fund ekzekutimin e biznesmenit Behar Sofia. Për eliminimin e tij, fillimisht janë përfshirë Xhuliano Visha, Skender Vathi dhe Leonard Xhixha, të cilët nisën monitorimin e lëvizjeve të biznesmenit, i cili jetonte në zonën afër Piramidës. Për të kryer vrasjen ishte përcaktuar Xhuliano Visha. Gjithçka ka ndryshuar në çastin e fundit, pasi 28-vjeçari kishte vëzhguar viktimën dhe dyshonte se ai do ta njihte.

Duke iu referuar dosjes së Prokurorisë, Visha më pas ka kontaktuar shokun e tij Ernejt Shytin, duke i ofruar 50 mijë euro për të kryer vrasjen. Në dosjen e hetimeve për vrasjen e Behar Sofisë, është e zbardhur edhe dëshmia e vëllait binjak të Ernejt Shytit, Ergitit.

Ai është rrëfyer se kur ka ardhur nga Greqia, ku jetonte, i ka sjellë Ernejtit dhuratë një monopat. Disa ditë para vrasjes, Ernejt Shyti lëvizte me këtë monopat dhe pastaj e ka ndërruar për një ditë me biçikletën e një shoku. Kjo siç duket për të humbur gjurmët.

Ergit Shyti ka thënë gjithashtu se Ernejti nuk ka shokë në Tiranë, dhe me sa është në dijeni nuk ka as shoqe dhe as të dashur. Një ndihmë të madhe për zbardhjen e ngjarjes ka dhënë edhe e ëma e autorit të krimit. Ka qenë një dëshmia e nënës së Ernejt Shytit, Klotildës, e cila ndihmoi në zbardhjen e vrasjes mafioze në mes të Tiranës të Behar Sofisë. Në dosjen hetimore citohet se policia pasi ka ekzaminuar të gjithë kamerat e sigurisë, ka mbërritur në banesën e Shytit.

Në banesë janë gjetur një palë tuta, nga të cilat është marrë monstra e ADN-së e cila është krahasuar me atë të marra nga sendet e gjetura te Liqeni Artificial dhe ka rezultuar e njëjtë, që i përkiste Ernejt Shytit. Po kështu ajo ka konfirmuar faktin se ai gjendej në Mal të Zi, ku punonte në ndërtim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *