Nigeri/ Zyrtari i lartë dhe bashkëshortja akuzohen për trafikim organesh: E doja veshkën për vajzën

Një zyrtar i lartë nigerian, bashkëshortja, vajza e tij dhe një mjek janë dënuar për trafik organesh. Ish-zëvendës president i senatit nigerian Ike Ekweremadu, gruaja e tij Beatrice, vajza 25-vjeçare Sonia dhe Dr Obinna Obeta, u shpallën fajtorë për lehtësimin e udhëtimit të një të riu në Britaninë e Madhe me qëllim shfrytëzimin e tij.

Qëllimi ishte një dhe i vetmi; marrja e veshkës së 21-vjeçarit.

Burrit, emri i të cilit nuk mund të përmendet për arsye ligjore, i ishte ofruar një shpërblim për t’u bërë donator për vajzën e senatorit pasi sëmundja e veshkave e detyroi atë të braktiste shkollën në Universitetin e Newcastle. Si shpërblim do të merrte shumën prej 80,000 £.

Prokurori Hugh Davies KC i tha gjykatës se Ekweremadus dhe Obeta e kishin trajtuar të riun dhe donatorët e tjerë të mundshëm si “asete të disponueshme – pjesë këmbimi”.

Politikani Ekweremadu, i cili zotëron disa prona dhe kishte një staf prej 80 vetësh në shërbim të tij, kërkoi dikë që ta ndihmonte të bijën.

Davies shtoi: E gjitha ishte shfrytëzim, ishte kriminale. Nuk është mbrojtje të thuhet se ai veproi nga dashuria për vajzën e tij. Nevojat e saj klinike nuk mund të vijnë në kurriz të shfrytëzimit të dikujt që është i zhytur në varfëri.

Ekweremadu, i cili mohoi akuzat, i tha gjykatës se ishte viktimë e një mashtrimi. Obeta, i cili gjithashtu mohoi akuzat, pretendoi se burrit nuk i ishte ofruar një shpërblim për veshkën e tij dhe se ai po vepronte në mënyrë altruiste. Gjithashtu edhe gruaja e nigerianit dhe vajza e tij mohuan çdo lidhje me ngjarjen.

Mesazhet e WhatsApp-it të paraqitura në gjykatë zbuluan se Ekweremadu dhe Obeta pranuan që të pretendonin se burri ishte kushëriri i Sonias kur aplikoi për vizë, por edhe në dokumentet e paraqitura në spital.

Gjykatësi, Jeremy Johnson, ende nuk e vendosi dënimin ndaj 4 të akuzuarve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *