Ndryshime në ligj/ Shtetësinë mund ta marrin edhe të huajt që nuk dinë asnjë fjalë shqip

Qeveria ka miratuar një projektligj që po shqyrtohet tashmë në komisionet parlamentare për disa ndryshime në ligjin e shtetësisë. Në bazë të këtij projektligji i hapet rruga fëmijëve të të huajve që nëse lindin në Shqipëri të marrin menjëherë shtetësinë shqiptare. Konkretisht përcaktimi i parë ligjor që i jep të drejtën fëmijëve të lindur në Shqipëri nga prindër të huaj të marrin shtetësinë shqiptare, bëhet në nenin 7.

Në këtë nen është shtuar një paragraf ku thuhet se nëse prindërit kanë qëndrim të rregullt në vendin tonë, fëmija që ata sjellin në jetë mund të marrë shtetësinë shqiptare. Ndryshimet ligjore i hapin rrugë gjithashtu fëmijëve të prindërve shqiptarë jashtë vendit që duan të luajnë me kombëtaren kuqezi dhe që deri tani nuk e merrnin dot pasaportën shqiptare pa mbushur 18 vjeç, ta marrin dokumentin edhe më përpara.

Ndryshimet ligjore

Neni 7
Fitimi i shtetësisë me lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë

Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që mund të mbetet pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare

Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur moshën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç dhe janë shtetas të huaj, ata mund të kërkojnë heqjen e shtetësisë shqiptare të fëmijës, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.

Shtohet pika 3

Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.

Neni 8

I huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësi shqiptare, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtin e përcaktuar në shkronjën “c” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për tre vjet.

Gërma e

e) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *