Ndërtimi i Kampusit të UT-së/ Ja sa milionë euro do të kushtojnë shtesat te Akademia e Arteve dhe ajo e Sigurisë  

Parashikohet të kapin një fond kolosal por edhe pse nuk janë përkufizuar saktësisht tre projekte që janë në funksion të Arsimit parashikohet të kushtojnë të paktën 70 milionë euro.

Bëhet fjalë për Kampusin e ri të Universitetit të Tiranës, Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Sigurisë. Të dhënat u bënë të ditura në një dokument të Ministrisë së Arsimit, ku nënvizohet se “në buxhetin e vitit 2021, është planifikuar fondi prej 500 milionë lekë për hartimin e projekteve për Universitetin e Tiranës, Akademinë e Arteve dhe Akademinë e sigurisë.

Referuar VKM nr. 641, datë, 29 korrik 2020, Bashkia Tiranë është përcaktuar si autoritet kontraktues për të zhvilluar procedurën e prokurimit. Për momentin, vlerësohet se kosto e përafërt për të tre kampuset mund të jetë 65-70 milionë euro, ndërsa vlerësimi më i saktë mund të bëhet pas përfundimit të projektimit”.

Këto investime pritet që të zënë vend në 5 vitet e ardhshme, menjëherë sapo të ketë përfunduar procedura e prokurimit nga ana e Bashkisë.

“Në periudhën 2021-2026 do të ndërtohen tre kampuse të reja të IAL-ve publike. Vlera e përafërt e këtyre investimeve do të jetë 65-70 milionë euro, që është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në arsimin e lartë shqiptar”,- thuhet në dokument.

Këto shpenzime nuk janë përfshirë në strategjinë e Ministrisë së Arsimit për 5 vitet e ardhshme.

Bashkisë së Tiranës ju caktua zhvillimi i procedurës së prokurimit me një vendim të veçantë në verën e vitit të kaluar. Në atë kohë në vendim thuhej që, “Bashkia Tiranë të administrojë procedurat e prokurimit publik, për zhvillimin e projekteve, me objekt “Ndërtim i Kampusit të Ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i Kampusit të Policisë së Shtetit, Policisë Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë”.

Efektet financiare për zhvillimin e këtyre procedurave përballohen nga buxheti i shtetit. “Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”,- thuhet në vendim.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkisë së Tiranës i besohet roli i autoritetit kontraktor për objekte që nuk kanë vetëm karakterin lokal. Edhe ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar pas shembjes që u bë një vit me parë, iu la pikërisht kësaj bashkie.

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *