Ministria e Financave dështon të publikojë raportin e performancës së koncesioneve

Për herë të parë që nga viti 2019, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë duket se ka dështuar të publikojë një raport kyç, në të cilin duhet të bëhet transparencë mbi ecurinë e kontratave kontroverse të partneritetit publik privat – një detyrim ligjor për këtë ministri.

Raporti nuk është publikuar në seksionin përkatës të faqes së internetit të Ministrisë së Financave ndërsa te raporti i detajuar i projektligjit për buxhetin faktik 2020, i cili është aktualisht në shqyrtim parlamentar mungon shtojca e këtij raporti.

Detyrim ligjor

Qeveria shqiptare pranoi disa vite më parë kërkesën e përsëritur të Fondit Monetar Ndërkombëtar për transparencë në lidhje me kontratat e partneritetit publik-privat si dhe ecurisë së zbatimit të tyre. Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2019 ndryshime në ligjin për koncesionet, duke i ngarkuar Ministrisë së Financave detyrimin e hartimit dhe publikimit të një raporti të detajuar mbi ecurinë e koncesioneve kryesore.

Një raport i tillë u publikua në vitin 2020 për ecurinë e koncesioneve deri në vitin 2019 dhe në vitin 2021 për ecurinë deri në vitin 2020. Duke theksuar detyrimin ligjor të Ministrisë së Financave për përgatitjen dhe publikimin e një raporti të tillë, raporti i vitit 2020 shkruan:

“Me qëllim rritjen e transparencës mbi zbatimin e koncesioneve/PPP, forcimin e disiplinës financiare, monitorimin e risqeve fiskale dhe buxhetore që burojnë nga kontratat e koncesionit/PPP, nga ana e Ministrisë përgjegjëse për Financat janë propozuar disa ndryshime të miratuara me Ligjin Nr.50 datë 18.07.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, ndryshime të cilat kanë përforcuar rolin e MFE-së në monitorimin e zbatueshmërisë së projekteve të dhëna me Koncesion/PPP në këndvështrimin e implikimeve financiare.”

Sipas vetë përshkrimit të Ministrisë së Financave, raporti duhet të përmbajë një “pamje e përgjithshme të portofolit aktual të koncesioneve”, “një përshkrim të performancës së portofolit”, etj.Raportet e viteve të kaluara kanë vënë në dukje faturat e paguara nga buxheti i shtetit për këto kontrata si dhe, në raste të rralla, të dhënat mbi ecurinë e investimeve sipas kontratës të kryera nga partnerët privatë.

Koncesione me fat të panjohur

Qeveria shqiptare po zbaton një dyzinë kontratash koncesionare kontroverse, të cilat i janë dhënë kryesisht kompanive vendëse me procedura me shkallë shumë të ulët konkurrence. Gjatë vitit të kaluar, këto kontrata përfituan së bashku 11.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit si dhe një sasi jo të njohur të ardhurash të paguara nga shqiptarët jo përmes buxhetit të shtetit, por përmes tarifave të shërbimeve, të cilat ofrohen në kushtet e monopolit faktik. Disa nga këto kontrata koncesionesh duket se kanë ngecur. Kontrata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit duhej të kishte përfunduar me dorëzimin e rrugës në prill të këtij viti, por kompania sipërmarrëse Gjoka 87 pati mbetur prapa me planin e investimeve që në vitin 2020. /reporter pa kufi

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *