‘Mesazhi im për Lulzim Bashën…’/ Rama i shtrin dorën e bashkëpunimit PD-së: Jeni opozita jonë e vetme! Të largojmë ndarjen Jug-Veri

Kryeministri Edi Rama mbajti këtë pasdite fjalimin e fitores nga Sheshi “Skënderbej”, teksa tashmë numërimi i votave është drejt fundit dhe fituese ka dalë Partia Socialiste.

Në fjalimin e tij të fitores, Kryeministri Rama, iu drejtua me një mesazh kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke i thënë se, ai dhe parti e tij janë opozita e vetme e PS.

Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit Bashës, apo kujtdo që do të drejtojë PD katër vitet e ardhshme, duke thënë se dëshiron të jetë kryeministër i socialistëve dhe demokratëve, atyre që e votuan, por edhe i atyre që nuk e votuan.

“Lulzim Basha dhe PD bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera dhe përtej ndonjë eksesi tradicional, gjëra që e dëmtuan dhe dëmtojnë forcën e tyre, demokratët ishin kundërshtarët jo aq të lehtë këtë herë, që meritojnë respektin tonë.

U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë seç mund të bënin normalisht. Sepse të mundësh PS, është po aq e pamundur se të mundësh Milanin, Interein e Barcelonën. Nuk po flas për Juventusin, sepse ky ishte viti ekskluziv i socialistëve.

Mesazhi im i sinqertë për Bashën është ky: prano humbjen me dinjitet, se nuk bëre dot sa deshe, por bëre sa munde. Mospranimi i në kohën e duhur i kësaj humbje aspak turpëruese, e zmadhon përmasën e humbjes që PD arriti të dielën përballë PS. Miq demokratë, ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh.

Ky është fakt. Nuk më takon mua dhe nuk është përgjegjësia dhe e drejta jonë të vendosni si do ta lexoni ju rezultatin. Nëse do jetë apo jo Basha që do drejtojë PD, kjo është puna juaj, por me apo pa Lulzim bashën, ne kemi të qartë që opozita jonë e vetme është PD.

Ne i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim a kufizim, PD. Unë dua të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë. Duam të jem edhe i demokratëve, jo vetëm i socialistëve, unë dua që Shqipëria të ngjitet në majën, ku Zoti e deshi”,- tha Rama.

Teksa falënderoi skuadrën e tij dhe shqiptarët, që e votuan më 25 prill, Rama u shpreh se “ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend”.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë.

Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo.

Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi.

Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësi e vendosmëri, vendosën me votën e tyre në një moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi”,- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama nga fjalimi i tij i parë pas fitores së zgjedhjeve, nuk harroi pa përmendur mungesën e nënës së tij, Aneta, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë.

Ai tha se kjo ishte fitorja e parë në mungesë të dikujt.

“Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi besimi ynë se ky evnd bëhet dhe bindja jonë është se është mision i yni ta bëjmë këtë vend, Fitoi pakënaqësia jonë, duke punuar më fort dhe jo duke u ankuar më shumë.

Fitoi durimi ynë. Fitoi forca më e madhe demokratike, që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja.

Por mos e harroni kurrë asnjëherë më tutje se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve më parë. Duhet ta bëjmë natën ditë me punë e palodhur për Shqipërinë. Me përulësi dhe respekt për këdo pavarësisht se për kë ka votuar.

Kjo është fitorja ime e parë me mungesën e dikujt, që më ka ndenjur pranë, më ka ndenjur si hije dhe me përkujdesje e paepur. Dikush që më mungon tmerrësisht mes jush. Shpresoj se tani po më sheh nga atje lart, nëna ime Aneta.

Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse për ju të gjithë që për kaq shumë vite nuk u lëkundet, më ndoqët po u lodhur dhe sot sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve më dhatë mundësi që t’ju udhëheq drejt majës ku do të ngjitemi”,- tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *