“Merkatoja” në media dhe efekti domino që shkaktoi, zbulohen të vërtetat

Ditët e fundit lajmet për lëvizje të bujshme nëpër disa media kryesore ka bërë bujë në vend.

E gjitha nisi me rikthimin e bujshëm të Sokol Ballës në Top Channel, një lëvizje që do të shkakton një efekt domino.

Negociatat mes Ballës dhe pronares, Vjollca Hoxha, zgjatën shumë në kohë, sepse i pari pretendonte që të merrte postin e lënë vakant nga Ben Blushi, Drejtor i Përgjithshëm.

Pavarësish nga “presioni” i Ballës, Hoxha rezistoi dhe në fund u gjet një zgjidhje e mesme. Sokol Balla do të merrte zyrtarisht punët që kishte pasur përpara se të largohej herën e fundit, por jo zyrtarisht do të kishte akses me viston e pronares, për të “futur duart” edhe në sektorin e programacionit përveç atij të informacionit, bën të ditur Alfapress.al

Plas ‘qelbi’ në Top Channel

Kështu Balla u prezantua si drejtor, por paralelisht nisi të vërë në zbatim “rikthimin e vetes” si autoritet fuqiplotë në televizion. Gjëja e parë do të ishte rikthimi i emisionit të tij “Top Story” dhe për këtë nisën përgatitjet.

Por kjo do nxirrte dy probleme. I pari; Markën, emrin e atij emisioni pas largimit të Ballës te News 24 e kishin vënë në shërbim të një emisioni investigativ i cili shumë shpejt u bë i famshëm për “egërsinë” kur godiste, por edhe për seleksionimin e të shënjuarve dhe temave.

Ky emision, duhej të rikthente emrin te Sokol Balla. Drejtuesit me në krye kryeredaktorin, Endrit Habilaj, refuzuan prerë. Por nuk ishte vetëm çështja e emrit. Më herët kishte pasur debate dhe përplasje për shumat e mëdha ( në dhjetëra mijë euro) që drejtuesit e “Top Story” kishin përfituar nga Bashkimi Europian, por veçanërisht për vendosje gjobash ndaj bizneseve.

Pas kësaj bordi i “Top Channel” vendosi që të pushojë stafin e “Top Story” dhe ti ndryshojë emrin emisionit investigativ pasi aktualin e rimerte Balla për emisionin e tij politik.

“Pak kohë më parë, redaktori i emisionit investigativ, Top Story dhe disa elemente të tjerë, u është ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak se janë gjetur në shkelje të kontratës së punës dhe në cenim të imazhit të televizionit.

Ekipi ligjor i Top Channel është duke përgatitur dosjen përkatëse, për t’jua përcjellë autoriteteve, për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore dhe dëmin që i është shkaktuar kompanisë nga këta individë, të cilët kanë përdorur profesionin dhe emisionin, si mjet gjobash dhe kërcënimesh, duke keqpërdorur edhe donacione të huaja.

Sot, këta individë ose më saktë njëri prej tyre, Endrit Habilaj, i cili ka akses në faqen e emisionit në Facebook, ka lëshuar një tjetër shpifje në drejtim të Top Channel.

Se mbrëmë është hequr një emision i tyri. Në fakt është hequr një material i cili ashtu si dy tre javët e fundit, ishte lënë për t’u transmetuar në mirëbesim dhe jashtë kontrollit editorial të Top Channel.

Por kur bordi shqyrtoi materialet dhe vuri re shkeljet e rënda etike dhe profesionale, mori vendimin e mos transmetimit të kësaj gjobe, vënë në emër të dy personave që dikur punonin në Top Channel, dhe jo në interes të së vërtetës. Emisioni nuk është mbyllur. Top Story si emër nuk ka lindur në vitin 2018, atëherë kur u mor dhe u transformua ashtu siç është sot. Top Story ka lindur në tetor të vitit 2006 dhe për 11 sezone ishte emisioni më i suksesshëm politik në ekran.

Javën e ardhshme Top Story do rikthehet aty ku i takon, në “prime time” në orën 21:00.

Emisioni investigativ që mbajti këtë emër për tre vjet, nuk do të mbyllet. Ai do të vazhdojë që javën tjetër. Me emër të ri, me drejtim të ri.

Dhe për më tepër me mision të ri. Misionin e së vërtetës, dhe jo të gjobave”, thuhet në një deklaratë të këtij televizioni.

Pak pas kësaj Habilaj është kundërpërgjigjur duke akuzuar vetë pronaren Vjollca Hoxha, si gjobvënëse seriale.

“Një sqarim për publikun! Ky shkrim është i turpshëm dhe që nuk i bën nder jo Top Channel, por askujt.

Tani le të marrim me radhë disa fakte:

– E para, unë kam dhënë dorëheqjen në 28 shkurt 2022. Nga ajo ditë, nuk kam patur fare akses për emisionin Top Story.

– E dyta, emisioni “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, është realizuar nga Esmeralda Keta, fituese e dy çmimeve të BE. Tema është realizuar fare pa ndërhyrjen time. Dhe kjo mund të provohet lehtësisht duke kontaktuar Esmeraldën. Emisioni është anulluar dje, në 30 Mars 2022.

– E treta, emisioni i Rilindjes Urbane, ishte raportuar tek Bashkimi Europian, një projekt që e fitoi nëpërmjet aplikimit tim dhe FES. Unë sot e kësaj dite, këtë temë nuk e kam parë.

– E katërta, një pyetje për Vjollca Hoxhën, a ke vënë gjobë ti ndaj Samir Manes, duke anulluar emisionin “Kadastra e Vlorës”?!

– E pesta, një pyetje për Sokol Ballën, a po i vë gjobë fabrikave të prodhimit të vezëve dhe çfarë gjobash i ke premtuar Vjollca Hoxhës, me ardhjen në Top Channel.

– E gjashta, zonja Hoxha, përse po i bie Kadastrës përditë, a ke kërkuar legalizimin e objektit Folie Marine dhe më pas ndërtimin e një kulle aty?

– E shtata, faqja e facebook, është krijuar nga ekipi i Top Story dhe me ardhjen e Sokol Ballës kjo faqe u kërkua ti kalohej atij. I sugjerojë të ngrejë një faqe vet, siç ka ngritur shumë gjëra.

– E teta, ekipi i Top Story, nuk është njoftuar për ndërrimin e emrit dhe që emisioni politik i Sokol Ballës do të merrte këtë emër.

– E nënta, thirrje për kolegët, ky është TOP CHANNEL!”, shkruan dhe akuzon Habilaj ish punëdhënësit e tij.

Efekti domin te Eni Vasili dhe Klodiana Lala

Por le të mos zgjatemi te kjo luftë e ndyrë (me akuza dhe kundër-akuza gjobash) që tregon se deri ku ka degraduar media shqiptare. Kjo është punë e organit të prokurorisë dhe pse jo edhe SPAK, sepse bëhet fjalë edhe për milionat “e zhdukura” të Inceneratorëve.

Pas rimarrjes së emrit të emisionit, Sokol Ballës do ti duhej detyrimisht edhe hapësira “prime time” në Top Chanell për emisionin e tij politik me të ftuar. Pra 4 ditë në javë, në orën 21.00.

Por kjo hapësirë ishte e deri më tani në dispozicion të Eni Vasilit me emisionin “Open”. Pra Vasili del “e tepërt” në Top Channel pas rikthimit të Ballës dhe kjo jo vetëm për emisionin, por edhe për çështje të tjera.

Gjithsesi duke kuptuar këtë, Eni Vasili, nisi lëvizjet e saj për të kapur në një televizion tjetër me emër hapësirën “prime time”, që ja morri Sokol Balla.

Hapësira më e lehtë është te News 24 i cili, pak a shumë, ende e ka të lirë “prime time” pas largimit të Ballës.

Burime për Alfapress.al na konfirmuan, se parimisht është rënë dakord për këtë transferim.

Por edhe këtu ka një problem, i cili duket se nuk po kapërcehet lehtë. Nëse Eni Vasili merr në News 24 nga e hëna në të enjte kohën “prime time”, atëherë del jashtë loje Klodiana Lala me emisionin e saj, “Në Shënjestër”, i cili ka marrë goxha emër dhe shikueshmëri në vetëm pak muaj.

Lalës i është propozuar që ajo vetë dhe informacioni i saj dedikuar “Shënjestrës” të shkrihen me emisionin e Eni Vasilit, por kjo nuk i ka pëlqyer gazetares ekspresive dhe shpesh eksluzive në punën e saj.

Klodi Lala është e mërzitur dhe po mendon dhe po e artikulon hapur, se nëse nuk gjendet një zgjidhje për emisionin e saj që përgatitet me mjeshtëri edhe nga gazetari i njohur, Dritan Laçi, ajo do të largohet përfundimisht nga media ku punon prej shumë e shumë vitesh.

Këtu historia komplikohet sepse News 24 humbet faktikisht një nga ikonat e veta të kronikës dhe një gazetare që ushqen edicionet e lajmeve nga mëngjesi deri në darkë, me orar dhe pa orar!

Nuk dihet se si do të mbyllet kjo histori që nisi me rikthimin e Sokol Ballës në Top Channel, por efekti domino sapo ka nisur dhe kulisat e merkatos së papritur në këtë pranverë, po ziejnë!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *