Mërgata dhe dialogu…

 

Me siguri, shumica nga ju, kur dëgjoni këtë titull, mendoni se fjala është për dialogun mes Mërgatës dhe institucioneve të Kosovës, i cili edhe pse lë shumë për të dëshiruar, megjithatë diçka është bërë, por ne kësaj radhe deshëm t’i themi dy tri fjalë edhe rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, temë e cila ka vite që po dominon jetën politike në Kosovë. Pikërisht kjo temë është jo rrallë herë edhe arsyeja e zgjedhjeve të shpeshta që çon edhe në ndryshimin e shumë qeverive, një problem që na ka shkaktuar edhe ngadalësim e pengim të proceseve integruese dhe të zhvillimit ekonomik.

Pas mbarimit të Luftës, u trumbetua shumë që pas tri viteve do të organizohet një referendum dhe procesi i pavarësisë së Kosovës do të përfundojë shpejt, me çka do të rezultonte edhe pranimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare që do të kulmonin edhe me pranimin në OKB.

Mirepo, ndodhi diçka krejt tjetër. Faktori ndërkombëtar si jo rrallë herë që i lenë punët në mëshirën e kohës, por edhe shkaku i ndikimit politik në rritje të Rusisë, procesin e shtetësisë e la komplet anash, dhe u desh të ndodhin ngjarjet tragjike të vitit 2004, që Kosovës i kushtuan viktima të reja, që ajo të zgjohej nga letargjia ku kishte rënë dhe, më në fund, e futi edhe çështjen e Kosovës në agjendën e vet.

Më këtë rast, me vendim të Këshillit të Sigurimit, ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari, u caktua që të hartojë një Marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, plan që do të realizohej pas konsultimeve me delegacionet respektive të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ajo Marrëveshje në fund të jetë e pranueshme nga të dy palët.

Nga viti 2005 deri në vitin 2007 zgjatën të ashtuquajturat negociata mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequra nga kryenegociatori Ahtisari. Edhe në këto bisedime pala jone shkoi si mos me keq, delegacioni ynë ishte plotësisht i papërgatitur, lere pastaj që nuk u bënë konsultime fare për qëndrimin dhe përmbajtjen e tyre, madje nuk u konsultuan as institutet dhe institucionet përkatëse të specializuara për natyrën e këtyre bisedimeve, si p.sh Akademia e Shkencave, institutet historike, ligjore apo ekonomike. Nuk u mor parasysh as mendimi i shoqërisë civile apo edhe diplomatëve të karrierës. Ishin të frikshme filmimet që na vinin nga Vjena, ku delegacioni ynë kalonte si nëpër sfilata mode, me duar në xhepa, pa asnjë letër përpara në tavolinë, në të cilën vendosej fati i Republikës sonë të brishtë.

Delegacioni ynë mendonte se të tjerët duhet ta bëjnë detyrën e tyre edhe pse negociatorët e tyre përballë çdo here i shihnin „të armatosur“ me lloj-lloj rekuizita që ndihmojnë për këto raste.

Atyre me siguri u mjaftonte që në planin e shtruar ekzistonte fjala Pavarësi, por a do të ishte ajo pavarësi me të vërtetë funksionale, këtë nuk e llogarisnin fare. Këto takime zgjatën gati dy vjet, dhe në vitin 2007 u përmbyllën me të ashtuquajturin “Plani i Ahtisarit”, i cili u bë i detyrueshëm për të dy palët, edhe pse ai në brendësi kishte zbrazëtira të mëdha në dem të shtetit të ri të Kosovës, zbrazëtira që e venin në pyetje edhe vetë ekzistimin e shtetit. Po i përmendim vetëm disa pika sa për ilustrim, që të shihet se sa i padrejtë ishte ky Plan, i cili më vonë do bëhet edhe “shkak” i përplasjeve dhe dështimeve të shoqërisë dhe shtetit tonë të zhvillohet me ritmet e duhura:

  1. a) Mosdefinimi i statusit te Kosovës
  2. b) Pozita e privilegjuar e pakicave, sidomos e asaj serbe, e konsakruar kjo edhe me rezervimin

e 10 përfaqësuesve të tyre në Parlamentin e Kosovës, pra në fakt marrjen peng të Kushtetutës nga ana e tyre.

  1. c) Decentralizimi paraqitet shumë asimetrik duke krijuar enklava etnike
  2. d) Krijimi i zonave të mbrojtura deri në shkallën e eksterritorialitetit
  3. d) Prezenca e tepruar ndërkombëtare, me çka edhe defakto e cungon sovranitetin e shtetit te ri të Kosovës.

Pas pranimit të Planit të Ahtisarit dhe dakordimin me bashkësinë ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë që u njoh nga shumë vende, mbi 100, por ja që nuk u pranua në shumë organizata ndërkombëtare dhe shkaku i njohur i vetos, e që me këtë rast është gati deciziv, kur njihet dashuria e vjetër e Rusisë karshi Serbisë, e cila bëri dhe po bën çmos që Kosova të mos pranohet si shtet i barabartë.

Plani i Ahtisarit ishte pranim i Kosovës si shtet i pavarur, por ai la edhe shumë çështje të hapura, dhe siç thamë edhe të diskutueshme mes Kosovës e Serbisë, që me demek duheshin zgjidhur me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, me këtë rast, te Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës edhe gjeografikisht i takojmë. Në këto kushte, pra që të zgjidheshin gjitha çështjet, që ne fakt duhet të ishin më shumë të karakterit praktik e teknik, sepse ato politik kinse ishin zgjedhur me Planin e Ahtisarit, filluan bisedimet dhe që nga viti 2011 e deri në vitin 2015 u nënshkruan një mal me marrëveshje, diku te 30 sosh, duke filluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, më 2011,

Marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2013 e deri te Marrëveshja për rivitalizimin e Urës së Ibrit, në vitin 2015.

Pala jonë, përsëri i qëndroi besnike vesit të mbrapshtë të mospërgatitjes për këto bisedime, tamam si në ato të Vjenës. Mospërgatitje do të thotë: mosdakordim mes vete me forcat tjera politike, institute e institucione, diskutime me grupe të ndryshme të interesit etj. U vazhdua stili i rrumpallës, se vetëm unë (ai që ishte në qeveri) jam i rëndësishëm, dhe kush nuk është me mua është tradhtar!! Ky stil do të na kushtonte shtrenjtë, sepse vendin do ta fuste në një ngecje e ngërç, e besa edhe regresivitet. Marrëveshjet nënshkruheshin por ato nuk implementoheshin as nga Serbia, e cila në atë kohë mjaftohej që ta reklamonte në arenën ndërkombëtare vullnetin e mirë (për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian), kurse delegacionet tona mjaftoheshin që të shtrëngonin duart dhe bënin foto me faktorë e personalitete në Bruksel dhe, normal, që do t‘ju shtrëngonin dhëmbët krahut tjetër politik opozitar. Kështu kalonte koha dhe vendi mbeti peng i marrëveshjeve të parealizuara dhe grindjeve shterpë në mes pozitës e opozitës, sa për konsum të brendshëm dhe fushata zgjedhore te njëpasnjëshme.

Kosova jone e dashur lirisht mund të thuhet se u mor peng i Marrëveshjeve kinse jetike, partitë tona politike gjithë potencialin e vet e përqendruan rreth bisedimeve me Serbinë, duke harruar se ato, në radhë të parë, votoheshin për zgjidhjen e problemeve ekonomike, shëndetësore, arsimore, sociale, punësimin etj. Kështu populli ynë arriti në pikën më të ulët, zhgënjimit dhe humbjes së perspektivës dhe si rezultat përsëri mërgimi mbeti rrugëdalja e tyre, tamam si në kohën e pushtimit serb. Kurrën e kurrës nuk u mor kush me një analizë të sinqertë, veçse kjo e gjitha ishte një kohë e humbur.

Jam i vetëdijshëm se të gjitha këto gjera edhe ju i dini, t’i pranoni hapur ndoshta jo, sepse gjithmonë do të gjeni një arsye të shfajësoheni, (faji është jetim), por së paku opinioni i paanshëm i di, ndaj u detyrova t’i potencoj të gjitha këto, sepse mund të mendojë dikush se po e marr në mbrojtje ndonjë qeveri, deri edhe te kjo e sotmja, e cila, për fat të keq, u ka mbetur besnike qeverive të mëparshme, me gabimet dhe propagandën që bëhet rreth problemeve të

Dialogut, edhe pse ajo ka një mënyrë tjetër, origjinale të vetën, por rezultatet janë të njëjta!!

Lirisht mund të thuhet se kjo kohë në historinë e ardhme do të quhet Koha e Dialogut, koha e mashtrimit dhe vetëmashtrimit.

T’i përmendim të gjitha Marrëveshjet e famshme do na duheshin orë, por unë do i ceki disa më tipiket për të konkluduar se ishin të gjitha më shumë se farsë apo lojë, sesa arritje që i sollën të mira Republikës sonë.

Marrëveshja pre regjistrin civil, që quhet një ndër të suksesshmet, ishte vetëm një dorëzim i kopjes së librave e jo origjinali që i mban Serbia. Ose edhe Marrëveshja për telekomunikacion, e nënshkruar në vitin 2015, ku më në fund Kosova e fitoi kodin e vet telefonik, i ndryshëm ky nga ai i Serbisë. Po Marrëveshja e marrëveshjeve, ose nëna e marrëveshjeve na doli marrëveshja për Themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Një Marrëveshje e tillë ishte paraparë edhe në planin e Ahtisarit në fakt, por bëhej fjalë vetëm për 7 komuna dhe në asnjë mënyrë me kompetenca ekzekutive, Ajo na doli një Marrëveshje monstruoze, e kompletuar në vitin 2015, e cila, de fakto, komunat me shumice serbe i shpallte shtet në shtet dhe ishin shumë të rrezikshme për Kosovën. Në atë kohë opozita me të drejtë e kundërshtoi dhe ndoshta nga kjo, Gjykata Kushtetuese mbajti një qëndrim të drejtë dhe Marrëveshjen e dërgoi në “remont“, pra marrëveshja mbeti e vlefshme, por organet kompetente duhej që ta përpunonin atë dhe ta kthenin për miratim prapë në Gjykatë. Çuditërisht kjo nuk u bë kurrë më, nga asnjë qeveri, deri tek qeveria e sotme. Të gjitha, pa përjashtim, nuk u morën më me atë, secila duke u munduar t‘ia lejë në derë kopilin tjetrës. Por kopili sa shkonte e rritej, Serbia duke e parë paaftësinë e palës sonë, gjithnjë e më shumë bënte presion që kjo dhe asnjë tjetër Marrëveshje duhej të aplikohej, duke e shfrytëzuar „armen“ e vet (pakicën serbe), e që ana jonë nuk u mor fare me të. Është rast unik në botë që organet politike, pasi i dërgojnë vendimet e veta para Gjykatës Kushtetuese, përgjigjet e saj nuk i zbatojnë, pastaj kërkojmë që të na respektojnë të tjerët!! E si t’i zbatojnë partitë tona ato, kur në planet apo programet e tyre nuk ka asgjë tjetër përveç akuzave dhe kundërakuzave karshi partive tjera. Po të ishin realizuar vërejtjet e urta dhe të mençura të Gjykatës Kushtetuese, partitë tona nuk do kishin modus dhe kauzë politike në zgjedhjet e kaluara. Mirëpo kjo po na kushton shumë, sepse pozita ekonomike e politike e Republikës sonë është dobësuar deri në skajshmëri. Politika e brendshme është një çështje që nuk është ndoshta atraktive ne aspektin e zhurmës dhe propagandës, por ajo është skeleti i një qeverisje që e mban shtetin dhe shoqërinë, prandaj kësaj duhet t’i qasen qeveritë dhe partitë tona, sepse koha po kalon dhe periudha 25-vjeçare nuk është e shkurtër që një shoqëri të bëjë mrekulli në zhvillimin ekonomik. Por edhe në politiken e jashtme, fatkeqësisht nuk shkëlqyem, përkundrazi. Ajo vetëm u përdor për të mbledhur vota në zgjedhjet e shpeshta që kanë ndodhur, pikërisht për shkak të paaftësive tona. Politika e jashtme ishte jo transparente, u përdorën marifetet dhe kulisat e ndryshme, ishte një kohë kur njëri donte t’i merrte nën juridiksionin e Kosovës Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin. Se si donte ta bënte këtë, ajo mbeti sekret, por mjaftoi që skena politike shqiptare u mor me këtë pune me vite të tëra. Një tjetër, pasi i ishin lodher mashqit, një ditë të bukur e rriti doganën 100%. Normalisht edhe këtë e bëri fshehtas dhe pa konsultim dhe gjatë gjithë kohës propagandonte se po e bënte për të mirën tonë, ani pse të gjithë partnerët tanë strategjik e refuzonin këtë aventurë.

Normalisht, sepse të gjithë këtë ide „gjeniale“ e mbulonte me patriotizëm e trimëri, sepse mallrat serbe edhe me tutje futeshin në tregun tonë, por tani jo nga doganat, por dyshohet nëpërmes mashqeve të lodhur të tij. Edhe veprimet e fundit, që e sollën politikën amerikane të mos bënte më me ne politikë nuk ishin hiç me pak të dëmshme.

Këto dhe veprime të tjera, ndoshta dikush individualisht edhe ka fituar, por Kosova dhe populli i saj jo. Përkundrazi, Kosova është izoluar dhe më ne nuk shihemi me simpati, si një vend që hoqi aq shumë nga lufta. Klasa jonë politike duhet të jetë më e përgjegjshme, sepse kur je në pushtet ti, nuk e përfaqëson vetëm grupin ose partine tënde, por përfaqëson krejt popullin dhe të ardhmen e tij. Kërcënimi i Eskobarit karshi Kryeministrit tonë, se e pranove ti apo jo, ajo do aprovohet, për çështje të Zajednicës, është një shenjë që diplomacia e shteteve strategjike karshi nesh është konsumuar e keqpërdor në mënyrën më të keqe nga pala jonë. Të shprehet një diplomat i karrierës në këtë mënyrë, kjo do të thotë se pika e vlimit është arritur. Me Marrëveshjen e Ohrit ku u detyrua qeveria e Kosovës, të pranojë asociacionin plus dhe këtë mundohet të na e shesin si marrëveshje të mirë, me terma si vetëmenaxhim. Në vjeshtën e vitit të kaluar përsëri me kryeneçësinë e saj qeveria mori vendime për targat për kundër kërkesës së ndërmjetësuesve dhe jo vetëm. Ishte Sekretar i Shtetit Amerikan, Blinken, që i kërkoi Kryeministrit t’i japë dhjetë muaj kohë për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe për kundër kërkesës së Sekretarit Amerikan vendimi u maur dhe ky vendim shkaktoi shumë probleme, djegie makinash, bllokim rrugësh dhe daljen e komunitetit serb nga të gjitha institucionet e Kosovës. Ky destabilizim i konvenon dhe i duhet vetëm Serbisë, pasi veriu i Kosovës është pjesë e jona dhe si i tillë duhet ruajtur.

Të gjitha këto vendime, me dashje apo pa dashje, i shkojnë përshtat vetëm Serbisë, pasi ajo dëshiron të përfitojë në kohë dhe të mos kemi marrëveshje përfundimtare. Pastaj vendimet e tilla po e cenojnë reputacionin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe shihet qartë se pozicioni SHBA-ve dhe BE-në nuk është ai që ishte më herët. Një gjë ne nuk guxojmë të harrojmë se komuniteti ndërkombëtar nuk merret me të kaluarën historike. Ata me pavarësinë e Kosovës e shohin se Serbia ka humbur 15% te territorit dhe e shohin si humbësen më të madhe, kjo është edhe një arsye më shumë që këtu duhet të jemi të kujdesshëm dhe te mos nxitohemi me vendime të njëanshme dhe pa koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

Qytetarët e Kosovës kishin vendosur për ndryshimin dhe shtytjen më të madhe. Këtij ndryshim i dha mërgata dhe tani mund të them se jemi më të zhgënjyerit për atë çfarë po shohim. Qeveria po drejtohet nga subjekti që në programin e saj kishte bashkimin kombëtar, ndërsa në realitet marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk kane qenë asnjëherë më të ftohta. Ato shkojnë deri në atë masë sa që presidentja e Kosovës, në takimet ndërkombëtare, më lehtë takon presidentin serb se kryeministrin shqiptar!! Ajo nuk duhet të harrojë se është presidente dhe inatet personale duhen lënë në shtëpi, derisa përfaqëson Kosovën. Ndërsa Kryeministri ynë, në vizitën e tij të parë si kryeministër, pranë varrit të Skënderbeut në Lezhë, na bëri me dije se kishte hequr dorë nga bashkimi kombëtar, pasi nuk po e lejuaka Kushtetuta e Kosovës, por ne të gjithë e dimë se Kushtetuta nuk ka ndryshuar, por keni ndryshuar ju.

Është koha e fundit që diplomacia jonë, që ne fakt vetëm diplomaci nuk është, të bashkëpunojë më shumë me shtetin shqiptar dhe të mësojë më shumë për diplomaci, se është në interes të vendit.

Ne, përveç kritikave, kemi edhe disa rekomandime që mendojmë se janë në interes të vendit:

  1. Qeveria e Kosovës duhet gjithmonë të jetë pjese e iniciativave dhe tryezave rajonale, përfshirë edhe Ballkanin e Hapur. Më në fund duhet flakur tutje politika tuteliste që bëjmë si qeveri, aq me parë kur ne në Ballkanin Perëndimor jemi një ndër popujt më të mëdhenj dhe përfaqësohemi me dy shtete.
  1. Të heqim ndjenjën e inferioritetit dhe të mos bëjmë më rolin e viktimës.
  2. Partitë politike të Kosovës duhet njëherë e përgjithmonë ta ndajnë politiken e brendshme nga ajo e jashtme dhe anasjelltas.

4 Të arrihet një konsensus në mes gjitha partive parlamentare që për politikën e jashtme të këtë një marrëveshje të sinqerte për të mirën e Republikës sonë.

  1. Në bisedimet për politikën e jashtme të përfshihen edhe institutet shkencore e akademike.
  2. Edhe pse shume vonë, megjithatë mendojmë se ende do të kishte vend për një trupë politikoshkencore, vetëm për marrëdhëniet dhe marrëveshjet me Serbinë.
  3. Të mos ketë vend populizmi (nacionalizmi) në organet tona shtetërore, sepse ai, në radhë të parë, na bën dëm ne si shtet dhe si shoqëri.

Düsseldorf Maj 2023

Lulzim Veliu

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *