Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit, reagon ambasadori Soreca

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ka përcjellë mesazhin e radhës në mbyllje të procesit të votimit në Shqipëri. Ai tha se pjesëmarrja e lartë në votime demostroi se qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar që këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për vendin e tyre. Mbyllja e procesit të votimit, ambasadorin e BE-së e gjeti në Tiranë, në qendrën e votimit në Liceun Artistik. Sa i përket vëzhgimeve që kanë bërë ekipet e tij, Soreca u shpreh se do t’ia kalojnë misionit të ODIHR që ditën e nesërme do të bëjë vlerësimin paraprak.

“Sot ka qenë një ditë e gjatë, sepse ka filluar në orën 07:00 në Tiranë, dhe pas gjithë asaj pune, do të përfundojë tani në Tiranë. Ne e filluam me Tiranën, pastaj shkuam në Peqin, në Elbasan, në Kavajë dhe në Durrës. Përveç disa problemeve, që janë hasur me aparatet për identifikimin elektronik, administrata ka funksionuar mirë dhe pa probleme.

Skuadrat tona të BE, që po vëzhgojnë zgjedhjet, në pjesën dërrmuese të Shqipërisë, do të vëzhgojnë edhe procesin e mbylljes së qendrave të votimit dhe gjithë procesin më pas. Të gjithë informacionin që do të mbledhim, do ja kalojmë OSBE/ODIHR, që nesër rreth drekës do të bëjë vlerësimin e parë për zgjedhjet.

Sigurisht që mbyllja e votimit dhe qendrave të votimit, dërgimi i materialeve, është vetëm fillimi i fundit. Ajo që do të bëjmë ne, është se do të lejojmë komisionet e qendrave të votimit të përfundojnë gjithë procesin, për të vijuar sonte për të ndjekur numërimin deri në mëngjes, deri nesër, kur ne shpresojmë të ketë rezultat. Unë nuk do të jap një vlerësim të gjërave që kam parë, pasi do të jetë OSBE, që do të japë vlerësimin paraprak. Më lejoni të them se ajo që kam parë, ka qenë një pjesëmarrje vërtet e lartë, m’u duk personalisht se zgjedhësit shqiptarë e kanë kuptuar që kjo ka qenë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë”, tha ambasadori Soreca.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *