Margariti: Butrinti nuk po jepet me koncesion

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në studion e Opinion ka sqaruar se Butrinti nuk po jepet me koncesion. Margariti thekson më tej se ky park do t’i kalojë në menaxhim një fondacioni që do të do ngrihet nga shteti shqiptar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

(Fondacioni) Është jo fitimprurës dhe nuk është koncesion, është organizatë jo fitimprurëse. Çdo qindarkë e Butrintit qëndron në Butrint”, tha Ministrja.

Ndër të tjera ajo shpjegoi se kryetar i këtij bordi është Ministri i Kulturës, në cilësinë e ministrit. Ky fondacion kontrollon vetëm një territor që lidhet me zonën historike/arkeologjike të Butrintit dhe jo me gjithë parkun e Butrintit. Po ashtu, ministrja tha se parku i Butrintit ka ardhur për t’u rishikuar me propozim të Ministrisë së Turizmit, pra që mund të zvogëlohet në disa zona. Brenda zonës arkeologjike do ketë përmirësime të shërbimeve, por nuk do të ketë investime të reja, sqaroi Margariti.

Po përse nuk e administron vetë shteti shqiptar, përmes mënyrës që kishte duke përmirësuar administrimin?

Kjo është një mënyrë e përmirësimit të administrimit dhe shteti shqiptar është duke e menaxhuar sitin. Që nga fillimi i këtij procesi që kemi nisur për ndërtimin e këtij modeli, një nga kritikat kryesore ka qenë mënjanimi i Ministrisë së Kulturës në këtë fondacion. Ndërkohë që Ministria e Kulturës jo vetëm është kryetare e bordit, por e monitoron me një qendër të re monitorimi pranë ministrisë, e auditon, raporton pranë UNESCO-s. Shteti është brenda në të gjithë kuadrin ligjor”, tha Ministrja.

E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse duhej Fondi Shqiptaro-Amerikan në këtë projekt, ministrja tha: “Është një nga donatorët. Unë sot jam e dëshiruar që çdokush të shohë debatin e Butrintit dhe të ndjellë sadopak entuziazëm dhe dashamirësinë që kemi dhe të tjerë donatorë. Në të gjithë botën modele të tilla kemi shpeshherë prezencën e bankave, që janë filantropë kryesorë në gjithë botën. Ky mund të jetë një moment i mirë të parë edhe vetë bankat sesi të mund të bëhen pjesë e filantropisë në Shqipëri. Nuk po themi asnjë çudi dhe nuk po shpikim rrotën”./tvklan.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *