“Luftoni krimin e organizuar”/ Rrumbullaku ‘zbarkon’ në Durrës, zbardhen porositë e Drejtorit të Policisë

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku u ka dhënë porosi vartësve të tij që të godasin krimin dhe të luftojnë korrupsionin.

Gjatë një takimi me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar përgjegjshmëri, profesionalizëm, dhe produktivitet.

Më tej, Rrumbullaku ka kërkuar edhe përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së rezultateve të seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomik, për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe të atij për Krimet e Rënda.

“Punoni në bazë të informacioneve, bashkëpunoni me qytetarët, me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe godisni aty ku është problemi. Luftoni krimin e organizuar dhe çdo paligjshmëri tjetër që konstatohet në terren.

Lokalizoni dhe kapni personat në kërkim, ata që qarkullojnë me armë zjarri ose lëndë narkotike. Monitoroni dhe mbani nën kontroll personat me tendencë kriminale në fushat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Është bërë një punë e mirë parandaluese në terren, për uljen e kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Durrës, por duhet bërë më shumë për të luftuar tentativat e kultivimit në ambiente të mbyllura.

Shërbimet e Policisë në terren duhet të rritin performancën në drejtim të komunikimit me qytetarët apo të ndjekjes dhe zgjidhjes së problematikave që kanë apo adresojnë qytetarët. Shefat e sektorëve të kontrollojnë dhe të  instruktojnë strukturat përkatëse në varësi”, tha Rrumbullaku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat e DVKM Durrës që të rritet autoriteti, roli dhe forca parandaluese e goditëse e Policisë Kufitare në port. Të luftohen krimet ndërkufitare, duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë vendore dhe autoritetet doganore. Takimet do të vijojnë, me të gjitha strukturat e Policisë në mbarë vendin.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *