Lezhë/ Rrugorja ndëshkon 228 drejtues mjetesh, shkak shpejtësia tej normave të lejuara

Policia Rrugore e Lezhës po vijon kontrollet intensive me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës si dhe për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që bëhen rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Kontrolle intensive janë kryer në të gjithë qarkun, duke përdorur monitorimet me dronë e me kamera nga shërbimet policore dhe të pauniformuara në akset rrugore të cilësuara si “njolla të zeza” për ngjarje rrugore, si dhe kontrollet në terren me radarë, dragera e makina inteligjente.

Gjatë javës që lamë pas, si rezultat i këtyre kontrolleve janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi si dhe proceduar penalisht 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Po ashtu, janë proceduar penalisht 6 drejtues mjetesh, të cilët si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, janë bërë burim aksidenti me pasoja në njerëz dhe dëme materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 109 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara.

Policia ndëshkoi për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 31 drejtues. 27 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. 228 drejtues janë ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara. Po ashtu janë ndëshkuar 3 drejtues mjetesh për mosrespektim të kalimit të këmbësorëve në vijat e bardha.

Policia e Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

 


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *