Lajçak dhe Escobar do vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën këtë javë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, në fund të kësaj jave do të vizitojnë Kosovën dhe më pas Serbinë. Evropa e Lirë (RSE) ka mësuar nga burime diplomatike në Bruksel.

Sipas burimeve të përmendura, ata do të qëndrojnë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, më 20 janar.

Sipas këtyre burimeve, qëllimi i vizitës është përgatitja për mbajtjen e raundit të ardhshëm të dialogut në nivelin më të lartë politik në Bruksel.

Edhe pse ai synonte të thërriste një takim të liderëve një herë në muaj, në vitin e kaluar Lajçak arriti të mbledhë dy herë në të njëjtën tryezë presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin  Kurti.

Në gusht dhe nëntor 2022, ata erdhën në Bruksel për një raund të ri dialogu në dritën e tensioneve që u ngritën në veri të Kosovës. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi në fund të vitit të kaluar se të gjitha takimet kishin për qëllim menaxhimin e krizës në rrugën Beograd-Prishtinë.

Burime diplomatike në Bruksel bënë me dije se të dërguarit special të Francës dhe Gjermanisë së shpejti do të shkojnë në Kosovë dhe Serbi, por për momentin nuk është saktësuar nëse do të jenë në delegacion gjatë vizitës së kësaj jave të të dërguarve të BE-së dhe SHBA-së.

Javën e kaluar Prishtinën dhe Beogradin i ka vizituar këshilltari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Ćollet .

Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim se kur një raund i ri i bisedimeve të liderëve mund të zhvillohet përsëri.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë rregullisht se janë të gatshëm të thërrasin një takim në çdo kohë kur presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës të jenë gati për këtë.

Ata ende nuk heqin dorë nga synimi për të organizuar një takim të tillë deri në fund të janarit.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *