Konfindustria del kundër paketës fiskale për 2023: Është jo profesionale dhe e paplotë

Konfindustria përmes një deklarate nga drejtuesi i saj Gjergj Buxhuku, ka dalë kundër paketës fiskale të 2023 është jo profesionale dhe e paplotë, duke marrë parasysh zhvillimet ekonomike të fundit në tregjet vendore dhe globale.

“Konfindustria vlerëson, se Paketa Fiskale 2023 e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë/MFE është jo profesionale dhe e paplotë, parë zhvillimet e fundit të tregjeve vendore dhe globale dhe sidomos pasojave të krizës së energjisë. Si e tillë jo vetëm nuk mbron ekonominë kombëtare, por dëmton rëndë mbi të gjitha interesat e industrive dhe prodhimit vendor, duke favorizuar qartësisht lobet importuese,” thuhet në deklaratë.

Ai deklaroi se Konfindustria po përgatit një listë kërkesash për paketën fiskale 2023.

“Konfindustria është duke përgatitur listën e kërkesave për Paketën Fiskale 2023. Kërkesat kryesore të saj do të përqëndrohen në përballimin e krizës së energjisë dhe uljes së çmimeve të karburanteve.

Në anketën e organizuar nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë për paketën fiskale 2023, pothuaj 96% e bizneseve dhe industrive kanë shprehur shqetësim kryesor për aktivitetin e tyre tregëtar përkatësisht cmimet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike,” thuhet në deklaratë.

Një prej kërkesave do të jetë heqja e plotë e taksës së qarkullimit të karburanteve.

“Për sa më sipër do të kërkohet në Paketën Fiskale 2023 si hap i parë, heqja e plotë të “ taksës së qarkullimit” të karburanteve me të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit afër 160 milionë euro/vit. Ndërkohë, vlerësohet se, nëse luftohet efektivisht kontrabanda masive në tregun e karburanteve, efektet e drejtëpërdrejta buxhetore të heqjes së “taksës së qarkullimit”, jo vetëm do të jenë zero, por do të tejkalohen pozitivisht.

Mbështetur në të gjithë krahësimet e zhdoganimeve dhe konsumit të karburanteve me shtetet e Rajonit, jo më pak se 300 milionë euro mund të jenë të ardhura të munguara, që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, të ardhurat për buxhetin e shtetit do të shtohen si pasojë e rritjes ekonomike nga ulja e kostove të karburantit për industritë, biznesin dhe qytetarët.

Shtysë e fortë për kontrabandën masive në tregun e karburanteve në Shqipëri është edhe niveli i lartë i taksimit,” thuhet në deklaratë.

Konfindustria vlerëson, se ulja e ngarkesës fiskale për karburantet dhe përmirësimi i menaxhimit të sektorit të energjisë elektrike, duhet të kenë qëllim arritjen e të paktën nivelit të çmimeve të vendeve të Rajonit në vitin 2023 për biznesin dhe qytetarët.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *