Koncept apo ligj? Çupi për Priza.al: Mazhoranca ka refuzuar vazhdimisht zyrtarizimin e minimumit jetik. Situata me varfërinë po përkeqësohet

Nga: Adela Qerosi

Instancat publike janë përgjegjëse për përcaktimin e një niveli bazë jetese dhe ofrimit të kushteve për të gjithë qytetarët e një vendi. Këtyre të fundit duhet t’u jepet mundësia të plotësojnë të paktën nevojat bazë. Pikërisht me këtë ide lidhet edhe koncepti i shumë përfolur i minimumit jetik.

“Minimumi jetik konsiderohet një pagë e nevojshme për të mundësuar mbijetesën bazuar në një kosto reale jetese, edhe nëse nuk kanë mundësi fizike ose mendore për të punuar, apo nëse janë mbi/nën moshën e aftë fizikisht.”

Në vendin tonë prej vitesh pritet dhe kërkohet që minimumi jetik të legjitimohet. Në dhjetor të vitit të kaluar, aktivistët, dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një peticion me 21 mijë firma të qytetarëve pikërisht për vendosjen me ligj të kësaj norme.

Edhe opozita, ka kërkuar vazhdimisht përcaktimin zyrtar të kësaj norme. Por, mazhoranca nuk ka rëndë ende dakord. Nëse minimumi jetik do të legjitimohej, të gjithë institucionet publike duhet t’i përshtateshin. Pra, nuk do të kishte pensione apo ndihma ekonomike më të ulëta se minimumi i vendosur.

Ditën e sotme, Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj ka zhvilluar një interpelancë me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pikërisht lidhur me këtë çështje. Megjithatë drejtuesja e dikasterit të shëndetësisë zgjodhi të fokusohej në arritjet e saj dhe sërish nuk u bë i mundur zyrtarizimi i minimumit jetik.

Pra ende përcaktimi i minimumit jetik mbetet “i paligjshëm”.

Mesa duket, qeveria i “trembet” rritjes së nivelit të jetesës për qytetarët. Pasi, pikërisht këtë do të mundësonte zyrtarizimi i minimumit të jetesës. Pra, mbetemi përpara një problemi shumë të madh. Shumë prej qytetarëve të vendit marrin në muaj më pak se shifra e përcaktuar në minimumin jetik. Kjo do të thotë qartë se edhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike apo marrin një pension, mbeten në kufijtë e varfërisë.

Lidhur me këtë shqetësim, ne intervistuam deputeten e Partisë Demokratike znj. Dhurata Çupi. Vetë ajo personalisht ka ndërmarrë disa nisma ligjore për ta zyrtarizuar minimumin jetik, por nuk ka arritur të marrë mbështetjen e qeverisë. Çupi, siç edhe tregon, është përpjekur vazhdimisht ta ngre këtë çështje si shqetësim edhe në media.

Intervista e plotë:

Çfarë rëndësie ka për qytetarët sanksionimi me ligj i minimumit jetik?

Nga të dhënat e Bankës Botërore, 30.8% e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë, çka do të thotë me më pak se 5 dollarë në ditë. Sipas po këtij studimi, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Pandemia COVID-19 solli një rritje të përgjithshme të çmimeve, që përllogaritet në masën e inflacionit 14%, duke i varfëruar edhe më tej qytetarët shqiptarë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, numri i të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punës u rrit me 17%. Tregues tjetër i varfërisë dhe papunësisë, është edhe rritja e numrit të të larguarve në emigracion. Sipas një studimi të INSTAT, në 10 vitet e fundit janë larguar 7.5% e popullsisë ose 213.748 qytetarë.

Si paraqitet përcaktimi i tij në vendin tonë, në raport me vendet e tjera?

Sipas një studimi të përgatitur nga institucioni i Avokatit të Popullit, minimumi që i duhet një personi për të garantuar nevojat bazë në Shqipëri është 17.875 lekë në muaj. Kjo vlerë, sipas po këtij studimi, është 9.9% më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37.5% më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike.

Sakaq, vendet e zhvilluara te Bashkimit Europian kanë të përcaktuar minimumin jetik deri në 800 euro.

Cilat janë hapat kryesore që duhet të merren nga Ministria përgjegjëse?

Unë kam kërkuar interpelancë dhe seancë pyetjesh me Ministren Manastirliu, e cila në përgjigje nuk pranoi të përgatisë një VKM për minimumin jetik. E kam ngritur këtë shqetësim në seancë, në komisionin e ligjeve dhe në media apo debate.

Gjithashtu kam kërkuar në formën e amendamentit gjatë seancës plenare ku u diskutua projektligji për buxhetin e vitit 2023. Kjo kërkesë u rrëzua nga mazhoranca./Priza.al

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *