Kokaina në Fier, Klodiana Lala rendit ‘kokat’ e laboratorit të drogës: Kishin mbështetje politike

Gazetarja Klodiana Lala thotë se hetimet sapo kanë nisur për laboratorin e kokainës në Fier, ku ishin trafikuar 430 kilogramë kokainë përmes 24 toneve pleh organik artificial.

Lala tha se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe se kryesori në këtë grup është Viktor Çervanaku.

Gazetarja ndër personat kyç përmendi edhe të riun Nikolin Gjolena që sipas saj një pjesë të mirë të kohës e kalonte në Amerikën Latine.

“Hetimet sapo kanë nisur, janë zbuluar përgjimet e para. Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Kryesori në këtë grup kriminal është Viktor Çervanaku, ish-kryetari i Komunës së Frakullës së madhe në Fier. Ai është i përfshirë megjithë pjesëtarët e tjerë të familjes me djalin me vëllain, me bashkëjetuesin e djalit. Një tjetër person kryesor është një 34-vjeçar, Nikolin Gjolena, që një pjesë të mirë të kohës e kalonte në Amerikën Latine”, u shpreh Lala për Euronews Albania.

Ajo tha se në dosje flitej për emra të mëdhenj, madje Prokuroria e Posaçme po bën verifikime për një personazh i cili sipas raportit ka urdhëruar vrasjen e një punonjësi policie.

“Nga mënyra se si flisnin, pra flisnin aq hapur në telefon sa akoma nuk ishin të ndërgjegjësuar se si një grup funksionon, sepse ata janë shumë diskret, funksionojnë me platforma të posaçme që të mos kapen nga punonjësit e policisë. Unë mendoj që kanë pasur garanci”, u shpreh Lala.

Gazetarja deklaroi se grupi ka pasur mbështetje edhe politike, edhe në radhët e policisë, sepse mënyra se si ata kanë komunikuar dhe zgjedhja e Frakullit për të zhvilluar “biznesin” ju ka dhënë garancinë që nuk do të shqetësoheshin.

Më 26 nëntor Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e “arrestit me burg” për 10 personat e arrestuar për 430 kilogramë kokainë të trafikuar përmes 24 toneve pleh organik artificial.

Laboratori i drogës u zbulua në banesë e ish-kryetarit të Komunës Frakull, Viktor Çervanaku në Fier. Mësohet se 430 kilogramë kokainë që ndodheshin brenda plehut, u transportua nga Kolumbia fillimisht në portin e Pireut në Greqi, më pas në Portin e Barit në Itali, Mal të Zi dhe destinacion të fundit, Shqipërinë.

Deri më tani janë arrestuar 10 persona ku mes tyre është edhe drejtori i drejtorisë në OSHEE, Viktor Çervanaku dhe i vëllai, Zenel Çervanaku. Të arrestuarit e tjerë, janë Denilson Çervanaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julain Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *