Kampionat “anormal”, në katër javët e para pretendentë janë “anonimet” që vijnë nga Kategoria e Parë

Kategoria Superiore e Shqipërisë funksionon sipas një formule me 10 skuadra, të ndara në katër faza, me nga 9 xhiro çdo fazë, pra në total në 36 xhiro. Kur janë luajtur katër javët e para të kampionatit, konstatohet një fenomen shumë i çuditshëm, që i ka lënë me gojë hapur specialistët dhe opinionistët. Në të vërtetë paradokset në vendin tonë janë të shumta edhe në fusha të tjera, përfshi sportin, por nga 10 skuadra në garë, vetëm Partizani, i cili mban kryesimin, është nga ekipet e mëdha në zonën e kreut, ekipet e tjera kanë rënë në fund dhe po japin një shfaqje të shëmtuar, duke mos dhënë asnjë indicie pozitive që ky kampionat mund të ketë pretendentë realë për titullin. Përveç Partizanit, vendet nga 2 deri tek 5 mbahen prej skuadrave që vijnë nga kategoritë inferiore dhe ato që gjatë viteve të fundit kanë luftuar për mbijetesë në Superiore.

Erzeni dhe Bylis, nga Kategoria e Parë në kryesim në Superiore

Kështu, Erzeni i Shijakut është ekipi në vend të dytë, me 8 pikë në katër ndeshje, por ka një tregues që nuk e kanë skuadrat pretendente. Shijakasit nuk kanë pësuar ende asnjë humbje në kampionat dhe ky tregues do të thotë shumë për vazhdimësinë e garës. Madje Erzeni është e vetmja skuadër që nuk e ka provuar shijen e humbjes në këtë fazë të parë të kampionatit. Si të mos mjaftonte Erzeni, një tjetër skuadër po prodhon çudira dhe kjo është skuadra e Bylisit. Ballshiotët kanë shtatë pikë në renditje, mjaftueshëm për katoi katër javë të para, ku bie në sy dëshira, qëndrueshmëria dhe agresiviteti në fushën e vet për të marrë maksimumin, ndërkohë që herën e fundit mori tri pikë nga Kurbini, në fushën e vështirë të Laçit (fitoi 1-0).

Egnatia dhe Kastrioti, surprizat e tjera

Në vend të katërt renditet Egnatia, një tjetër skuadër që llogaritej se do të kishte thjesht luftë për mbijetesë. Kjo skuadër shpartalloi keqas Vllazninë dy ditë më parë me rezultatin e thellë 3-0, duke shkaktuar një befasi të madhe. Me 6 pikë në renditje Egnatia mund të mos tregojë se është pretendente, por ama startin e ka pasur më të mirë se Tirana, Teuta, Kukësi e Laçi që konsideroheshin si favoritët e sezonit të ri. Një tjetër skuadër që ka befasuar me rezultatet është Kastrioti, barazimi i të cilit me Tiranën të shtunën e kaluar dëshmoi se krutanët nuk janë “kockë e lehtë” në Superiore, sikurse e mendonin bardheblutë dhe rivalët e tjerë. Madje Kastrioti ka po aq pikë sa Tirana, kampione në fuqi, nga 5 pikë secila.

Pretendentët e shohin veten në fund

Me përjashtim të Partizanit, që duket të jetë vërtet përjashtim në këto katër xhiro të para të garës, pasi mban kryesimin me 9 pikë, të gjithë pretendentët e tjerë ndodhen në fundin e tabelës së renditjes. Tirana kampione në fuqi ndodhet në vend të gjashtë me 5 pikë e një vend para saj ndodhet Vllaznia me 6 pikë. Laçi dhe Teuta, që llogariteshin si skuadra që më e pakta lakmojnë pjesëmarrjen në Europë, kanë nga 3 pikë secila, respektivisht në vendet 8 dhe 9. Kurse ekipi që llogaritej si favorit kryesor, Kukësi, për shkak të blerjeve të fuqishme që kishte bërë dhe ardhjes së një stafi profesionist me në krye teknikun Skënder Gega, ndodhet në vend të fundit me vetëm 2 pikë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *