“Ka qenë dimër i jashtëzakonshëm, pranvera do jetë e pandalshme”, Meta me mesazhe të koduara për situatën politike

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim në Kryegjyshatën Botërore me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Ndonëse është një festë e shenjtë, Meta e ka shfrytëzuar për të përcjellë mesazhet politike.

Ai ka hedhur thumbat e radhës për politikën shqiptare, ku nuk ka kursyer edhe mesazhet e koduara për situatën e para zgjedhjeve. Presidenti Meta tha se qytetarët kanë kaluar një dimër të jashtëzakonshëm, me vështirësi e vuajtje të pazakonta, edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Meta shton më tej se lulet kanë çelur, dhe se pranvera do të jetë e pandalshme. Në këtë reflektim, citon se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, dhe se fuqia e ndryshimit janë vetë ata.

“Mjafton të shikoni lulet e çelura, janë të ngjyrave të ndryshme, japin shpresë dhe gjallëri. Të tilla janë edhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, më në paqe, më të begatë, dhe për të kaluar këtë dimër të gjatë, në vështirësi të mëdha. Por edhe me vuajtje të pazakonshme, edhe për shkak të pandemisë. Sot bashkohemi me lutjet e Kryegjyshit Botëror për shëndetin e çdo qytetari, dhe apeloj për të bërë kujdes sa më shumë.

Njëkohësisht të jemi më optimistë për të ardhmen, më solidarë, më bashkëpunues, më tolerantë, më të dashur, e mbi të gjitha të mbizotërojë në zemrat tona dashuria për Shqipërinë.

Ka qenë dimër i jashtëzakonshëm, kemi pasur reshje dëbore të jashtëzakonshme, sa ende bora është zotëruese në male. Por lulet kanë çelur, mimozat kanë çelur, dhe jo vetëm ato. Kështu që pranvera do të jetë e pandalshme, dhe na ndihmoftë të gjithëve të kemi një të ardhme më të mirë.

Shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë, dhe kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”, përfundoi Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *