Ja 4 kompanitë ‘kartel’ që rritën çmimin e bukës në Shqipëri

Ditët e fundit në të gjithë Shqipërinë është rritur çmimi i bukës. I pyetur sot para seancës plenare rreth kësaj çështjeje, kryeministri Rama tha se nuk është votuar ende qeveria e re, dhe sapo kjo të ndodhë do të shqyrtohet rritja e çmimit të bukës në tregun shqiptar.

Rritja e çmimit të bukës ka krijuar shqetësim te qytetarët e së fundmi ka sjellë dhe një reagim nga ana e Autoritetit të Konkurencës. Këta të fundit thonë se kompanitë që kanë bërë këto rritje të çmimeve nuk do të marrin asnjë ndëshkim por do të jenë nën monitorim për 1 vit. Bëhet fjalë për kompanitë e njohura: Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, kompanitë e mësipërme kanë bashkërenduar sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit.

Situata është ende nën monitorim dhe nuk ka një vendim për rritjen e çmimeve që akualisht është kryer në vend. Gjithashtu çdo 3 muaj kompanitë e lartpërmendura kanë detyrim të raportojnë të dhënat mbi blerjet dhe shitjet. Autoriteti i Konkurrencës do të dalë me vendim për monitorimin.

REAGIMI I PLOTË:

Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se:

1. Komisioni i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrime dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU” ka vendosur:

I. Konstatimin e sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

II. Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK si vijon:

1. Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
2. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
3. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
4. Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.

III. Moszbatimi i përmbushjes së pikës III të këtij vendimi, në zbatim të nenit 73 dhe 74 të ligjit nr. 9121/2003, ndëshkohet me penalitetet përkatëse.

IV. Monitorimin e sjelljes së ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për një periudhë 1 (një) vjeçare.

2. Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me një vendim mbi zbatimin e kushteve dhe detyrimeve të dhëna me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 të cilat shtrihen në kohë edhe pas përfundimit të periudhës 1 (një) vjeçare të monitorimit.

Prej ditësh furrat po e shesin bukën me çmim deri në 10% më të lartë, ndërkohë që shoqata e Prodhuesve të Bukës deklaron se gjithçka ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimit të miellit dhe produkteve të tjera. Ndërkohë që parashikohet se më këto ritme, rritja e çmimit mund të shkojë deri në 20%.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *