INVESTIGIM XV/ Mashtrimi i ‘Fondit Besa’. Nis hetimi për noteret Demollari e Malaj. ‘Priza.al’ e para që zbardhi skemën dhe publikoi përgjimet

Kur kanë kaluar më shumë se dy javë që “Priza.al” po boton çdo ditë investigime mbi një skemë mashtrimi të “Fondit Besa” me kreditë të cilat ua faturonte individëve pa dijeninë e tyre, duket se autoritetet shtetërore kanë nisur që të lëvizin.

Në vijim të investigimeve ditë pas dite, “Priza.al” ka zbardhur dhe po vijon të zbardhë me dëshmi, fakte, dokumente e deri tek audio-përgjime, se si në “Fondin Besa” është ngritur prej vitesh një skemë e rafinuar pastrimi parash që ka përfshirë brenda vetes disa mijëra individë në të gjithë vendin.

Pjesë e kësaj skeme të denoncuar nga “Priza.al”, përveç punonjësve dhe drejtuesve të vetë “Fondit Besa” dhe disa bankave private, janë bërë edhe disa notore, të cilat ishin dhe ingranazhi kryesor i mekanizmit të mashtrimit.

Që për secilin klient-viktimë të “Fondit Besa” përfshirja në skemë të dukej normale, e rëndësishme ishte edhe qepja e dokumenteve me firma dhe vula të njoma dhe të thata të aplikimeve për kredi.

Dy prej noterëve më të “famshme” të kësaj skeme, Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, të cilat janë edhe nga më të lakuarat prej vetë viktimave të skemës, deri tani kanë arritur të shpëtojnë pa u lagur nga e gjithë kjo histori.

Por ditët e fundit, “Priza.al” mësoi se ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, nisur edhe nga materialet e botuara këto ditë për “Fondin Besa” ka kërkuar nisjen e një hetimi kryesisht.

Burimet nga Ministria e Drejtësisë, i pohuan “Priza.al” kërkesën e ministres Gjoni për nisjen e këtij hetimi duke thënë se ajo, “është detyruar nga agjencitë e huaja partnere anti-krim, të fillojë hetimin e plotë për noterët, pas skandalit të fundit të fondit ‘Besa’”.

Hetimi për noterët

“Priza.al” deri tani, bazuar edhe në dëshmitë e klientëve që njëokohësisht janë edhe viktima të skemës mashtruese të “Fondit Besa”, ka zbardhur vetëm emrat e dy prej noterëve të përfshira në këtë vorbull pastrimi parash.

Por nga sa mësuam, më 25 shkurt 2021, me propozim të ministres Gjonaj, Bordi Disiplinor i Noterëve, nisi hetimin për këtë rast, duke vënë në “skaner” noteren Majlinda Demollari, e cila firmos çdo akt e kontratë private të “Fondit Besa”, duke qenë notere personale e atij që mund të konsiderohet si një “fondacion piramidal”.

Referuar të dhënave të një hetimi të zhvilluar në muajin qershor 2019, rezulton se vetëm për “Fondin Besa”, noterja Majlinda Demollari ka firmosur 2117 kontrata kredie financiare.

Pjesa dërrmuese e tyre janë denoncuar si akte noteriale false, për falsitete pasurore, me mungesë prezence palësh, logo biznesesh false, apo edhe persona të huaj ose shqiptarë që nuk ekzistojnë fare.

Nga sa mësohet, në aktet noteriale false me logon “Fondi Besa”, ka kredi për toka bregdeti, tjetërsim pasurie, akt-dhurime, kontrata HEC-esh, apo ndërtim kullash e pallatesh në 240 raste.

Por ajo që është më tronditëse, është fakti që shumë nga këto shkresa janë bërë edhe me persona të vdekur e ende të pa lindur… por sipas letrave, kanë shkuar tek kjo zyrë noteriale dhe kanë firmosur.

Ngjall të vdekurit dhe i bën klientë të fondit “Besa” duke pastruar pasuri të zeza, nis hetimi për noteren

Allishverishet e noteres Majlinda Demollari

Hetimi që ka nisur kryesisht për aktivitetin e noteres Majlinda Demollari në lidhje me bashkëpunimin me “Fondin Besa”, është zgjeruar në krejt aktet noteriale që ka firmosur ajo, ku më flagrante janë kontratat false, për qiratë dhe shitjet e 22 pasurive të sindikatave, bërë me kreun Kol Nikolla.

Po kështu, janë 1160 kontrata për tjetërsim HEC-esh, kapitale pasurore, apartamentesh, koncesionesh, makinash luksi, vilash e pallatesh karabina, bërë me letra fiktive nga oligarkë e trafikantë, për shitje, dhurim, ri-shitje e ri-dhurim tek të njëjtët persona; shumica italianë, indianë, grekë, brazilianë, bullgarë, rumunë, turq, qipriotë, maqedonas, kosovarë, serbë e deri boshnjakë, të cilët nuk ekzistojnë ose kanë vdekur 10-15 vite para firmosjes tek noterja.

Në rastin konkret, nëpërmjet hetimit të noteres Majlinda Demollari, po shkohet tek burimi i krimit “Fondi “Besa”, si dhe për të hapur gropën e zezë të kredive të pastrimit të pasurive të krimit.

Sipas informacionit, agjencitë ndërkombëtare që invstigojnë pasuritë me bazë trafiqet e korrupsionin, kanë kërkuar nga ministrja Etilda Gjonaj, të bëhet hetimi për të paktën 710 zyrat noteriale në Shqipëri, mbasi ka të dhëna se vulat e tyre të njoma e të thata, janë skemë lavatriçeje, sidomos në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, Korçë e Shkodër.

Noteret “prestigjiatore”

Notert Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, janë vetëm emrat e dy prej shumë noterëve që kanë bërë lojëra me dokumentet dhe të dhënat personale të viktimave të “Fondit Besa”.

Ato duke pasur në dorë dokumente personale të siguruara nga rrjeti i sekserëve, bënin plotësimin dhe përpilimin e të gjitha shkresave të nevojshme për një dosje kredie, që ajo të dukej sikur ishte bërë e “saktë” dhe me dëshirën dhe vullnetin e vetë klientit.

E tillë ishte edhe denoncimi i ngritur ndaj noteres Majlinda Demollari shoqëruar me një audio-përgjim, nga një i ri kamerier në Tiranë, i quajtur Nikolin Tregaj nga Mallakastra.

Djali si shumë klientë të tjerë të mashtruar nga sekserët e “Fondit Besa” jo vetëm që rezultonte me kredi pranë këtij institucioni por të gjitha dokumentet i ishin qepur pranë noteres Demollari, me të cilën ai ka regjistruar edhe një bisedë, se si ajo e udhëzonte se ku të shkonte për të nisur procedurat e pagesës së kredisë.

Telefonata (Audio-përgjimi) me noteren Majlinda Demollari

Noterja: “…Si e ka emrin burri jot?

Ai burri jot është mi… Mondi, hë më thuaj, hë çfarë tha? Shumë bukur, mrekulli.. pa merak shumë mirë. Po sa të marrë në telefon. Por për ata miqtë në Sarandë, në rregull i kanë punët? Hë çfarë thanë? Ok, hajde, me letra s’kemi ç’a i bëjmë. Mirë Mondi. Pa merak, unë jam dakord të vijë…

Nikolini: Doja të pyesja për një kontratë që keni bërë ju, doja ta shihja. Të timen.. se kam kontratën.

Noterja: Më jep numrin. Të kujt e kini këtë kontratë?

Nikolini: Nga ‘Fondi BESA’

Noterja: Alo urdhëro, më prit aty tek kafja përballë se erdha.

Nikolini: Çfarë kontrate keni bërë ju zonjë, dhe unë nuk jam fare në dijeni. Këtë e konsumuam mbrëmë…

Noterja: Ju jeni kredimarrës?

Nikolini: E kam marrë pa dijeninë time.

Noterja: Po lekët në bankë, kush i ka tërhequr?

Nikolini: Ku ta di unë?

Noterja: S’ka gjë, do ta gjej unë.

Nikolini: E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua.

Noterja: Edhe ty do ta nxjerr nga arkiva, pa merak fare. Shkojmë tek banka, kush i ka tërhequr lekët…? Është Bledi ai që merret me “Fondin BESA”. Merre numrin.

Noterja: …O goca, Blendi apo Bledi. Si e ka…? Bledari. E keni ju këtë numër? Jepja numrin çunit, Bledar Ylli dhe këtë do ma lësh mua të nxjerr nga arkiva.

Arkiva nuk është këtu zotëri, është në një vend tjetër. Më lër mua të lëviz. Ka një rregull, arkiva më kërkojnë dokument, duhet 10 ditë. Unë po të them maksimumi 3 ditë do ta nxjerr nga arkiva.

Nikolini: Noterizimi pa qenë prezent personi?

Noterja: Atë do ta zgjidhim bashkë, ti mund të pretendosh. Unë mund të pretendoj ndryshe… Ligjërisht duhet të jesh këtu dhe personi bën kontratën, ka firmosur, ka shkuar në bankë, ka marrë mandatet. Ka marrë edhe lekët. I ka marrë të gjitha. Pa merak fare çuna. Për tre ditë do të jap kontratën në dorë. Shko tek Bledi, se ai është shefi i madh që merret me kredi, sepse kemi një kopje secili ne.

Vijon… /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *