INVESTIGIM X/ Skandali me ‘Fondi Besa’. Drejtuesit mashtronin me portofolin e kredive donatorët e huaj. Fitimet i merrnin aksionerët shqiptarë

Skandalet me “Fondin Besa” dhe problemi i mashtrimit të mijëra qytetarëve, që sapo ka nisur të zbardhet, duket se kanë dhënë efektet e para.

Pas një morie investigimesh të botuara këto ditë në “Priza.al” në lidhje me skemën e rafinuar të pastrimit të parave dhe të mashtrimit të qytetarëve nga “Fondi Besa”, drejtuesit e këtij të fundit kanë shfryrë inatin tek punonjësit.

Burime konfidenciale nga “Fondi Besa” na kanë treguar për një mbledhje të ditëve të fundit mes aksionerëve dhe pronarit zyrtar Bajram Muça, të cilëve “dëmin” dhe shqetësimin që u kanë sjellë këto ditë investigimet dhe zbardhja e fakteve, ua kanë ngarkuar si faj punonjësve të tyre.

Burimet bëjnë më dije se “punonjësve kryesisht shefave të degëve, menaxherëve dhe oficerëve të kredive, u janë dhënë deri paralajmërime për pushime nga puna, pasi dyshohet se kanë nxjerrë nga Fondi informacione mbi skemën e kredive”.

Burimet shtojnë më tej se, “në vijim të marrjes së masave të rrepta, për izolimin e stafit dhe ruajtjen e informacionit, si dhe ndalim absolut të komunikimit me mediat, punonjësit janë kërcënuar me ulje të pagave, heqje të bonuseve, apo edhe deri largim nga puna”.

Madje “Priza.al” ka mësuar edhe se në rregulloren e brendshme “Fondi Besa” ka bërë me shpejtësi disa rregullime, me qëllim që të zbusë efektin që mund të vijë nga ndonjë audit apo kontroll nga Banka e Shqipërisë, apo nga ndonjë institucion tjetër shtetëror”.

Por Fondi nuk kurrësesi nuk mund të mbulojë dot faktin që drejtues të lartë të tij deri ne oficerët më të thjeshtë të kredive, kishin ngritur prej vitesh një rrjet të mirëorganizuar sekserësh, të cilët jo vetëm siguronin me hir e me pahir klientelë, por bënin që të qarkullonin edhe fitime të majme për pak persona që kanë zhvatur me gjasë prej “Fondit” pjesën e “luanit”.

 

Si procedonin sekserët e “Fondit Besa”

Nëse do të ishte vetëm një apo dy individë edhe mund të thonim se “Fondi Besa” ka rënë pre e disa klientëve mashtrues dhe e disa punonjësve të papërgjegjshëm që kanë dashur ta zhvatin këtë institucion “prestigjioz”.

Por në fakt “Priza.al” ka sot në dorë emrat e shumë sekserëve si: L.Vrapi, Elidon Aliaj, Anelita dhe Agron Lila, Aulona Agolli, Iridina Rica e shumë të tjerë si këta persona, që kishin ngritur një rrjet të gjerë personash që i sillnin si “klientë” pa dijeni duke u hapur llogari dhe duke u marrë kredi nga “Fondi Besa”.

Por siç thonë edhe vetë disa nga të konsideruarit sekserë që kanë marrë kontakte me “Priza.al”, edhe ata kanë qenë viktima dhe se paratë e kredive nuk i përfitonin 100% ata, por ato ktheheshin si zinxhir nëpërmjet shumë llogarive tek drejtues të lartë të “Fondit Besa”, ndërsa këta (sekserët) merrnin vetëm një përqindje në bazë të shumës së kredisë.

Sipas burimeve konfidenciale nga “Fondi Besa”, “janë një pjesë e drejtuesve më të lartë dhe disa prej aksionerëve që kanë përfituar ‘llokmën’ më të madhe të këtyre parave. Këtë e tregon edhe rritja e kapitaleve të disa prej aksionerëve të Fondit. Ndërkohë, pjesa tjetër e atyre që operonin me këtë skemë kënaqeshin me ‘thërrime’”.

Këtë gjë, sipas burimeve, “drejtuesit e Fondit e justifikonin tek aksionerët ose donatorët e huaj me rritjen e portofolit të kreditimit, numrin në rritje të klientëve, manipulimin e shifrave të fitimit nga normat e interesit, si dhe me nivelin e lartë të kolateralit që kishin (vetëm me letra) si garanci për kreditë e këqija”.

 

Loja me arkat e kash-it në degët e “Fondit Besa” 

Deri në fund të vitit 2019 “Fondi Besa” në shumë degë në Tiranë por edhe nëpër rrethe, ka pasur edhe arka bashkangjitur ku paratë për klientët që merrnin kredi dilnin thuajse pa kontroll dhe po ashtu bëheshin edhe pagesa këstesh.

Një prej këtyre arkave “të famshme” ishte ajo te “Rruga e Kavajës” në hyrje të bllokut të ambasadave. Burimet i thanë “Priza.al” se aty “Fondi” kishte ka pasur një arkë ku bëheshin shumë veprime në kash, si dhe sisa të tjera si te dega “Tirana 6” apo te dega në Pogradec, apo disa rrethe të tjera”.

Sipas burimeve, “kjo gjë bëhej me urdhër të vetë pronarit të madh të Fondit, Bajram Muça, me qëllim që klientela të mbetej tek sportelet e Fondit dhe të mos shkonte nëpër sportelet e bankave”.

E gjitha kjo sipas burimeve sepse, “bërja e pagesave në kash si për tërheqje parash në formë kredie, ashtu dhe për shlyerje kësti të kredive në degët e bankave, e vinte klientin përball rrezikut që loja të merrej vesh, ose norma e lartë e interesit, duke bërë që bankat t’u ofronin atyre kushte më të favorshme kredish, e për pasojë kjo bënte largimin e klientëve”.

Sipas të njëjtave burime:

“në degët ku ishin këto arka, sidomos tek ajo pranë bllokut të ambasadave, e deri sa u mbyll, pagesat dhe transaksionet më të mëdha në kash i bënin oficerët e kredive, përgjegjësit e zyrave, por edhe vet drejtorët e degëve. E gjithë kjo bëhej për të përfituar edhe bonuset që jepeshin nga Fondi për rritjen e rezultateve të portofolit të kredive.

Kjo gjë motivonte më shumë punonjësit e vetë Fondit, që të gjenin edhe sekserë të rinj. Ti instruktonin ata si të vepronin. T’u jepnin pagesa në kash për shpenzimet dhe ti lëshonin nëpër Shqipëri për të sjellë klientë (viktima).

Kështu oficeri i kredisë apo përgjegjësi i zyrës, për të pasur rezultat sa më të mira, si dhe drejtori i degës që mbas një rezultati apo performance të mirë u rritej paga dhe bonusi, e shtonin dozën e veprimeve. Nëse kjo nuk arrihej ndaj tyre nga drejtuesit më lartë merreshin masa penalizuese deri në heqje nga puna.

Në fund të çdo muaji kur mbyllej bilanci i punës dhe i performancës për degët, te zyra pranë bllokut të ambasadave, bëheshin pagesa nga e gjithë republika. Aq të shumta ishin ato sa që kjo degë qëndronte e hapur edhe të shtunën ose të dielën, sipas datave që binte fundi i muajit.

Ndërkohë që pas mbledhjeve të fundit drejtuesit e Fondit, nxorën si rregullore të brendshme që kush prek më kash-in, hiqet nga puna! Kjo sepse kanë frike tani se me rregullore çdo klient duhet ta bëj vetë pagesën, por jo në zyrat e Fondit. Me ligj pagesat bëhen në çdo bankë të nivelit të dytë apo pikë postare.

Tani hapja e arkës brenda zyrave, është bërë pothuajse në çdo zyrë të Fondit por nuk lejohen më të bëjnë pagesa oficerët. Rasti i fundit është ai i degës ‘Tirana 6’, që oficeri u hoq nga puna pse mori pagesën kash nga klienti”- thanë burimet nga “Fondi Besa” për “Priza.al”.

Vijon… /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *