Inflacioni më i lartë në 2 dekada, shqiptarët paguajnë çmimet më të larta

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë vetëm 3.7% këtë vit dhe të zbresë më tutje në 2.6% vitin e ardhshëm si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga pasojat e COVID-19 dhe sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, por ndërsa shqiptarët pritet të vuajnë, arka e qeverisë po njeh rritje rrekord në të ardhura si pasojë e inflacionit më të lartë në dy dekada. Me pak fjalë, ndërsa shqiptarët paguajnë çmime më të larta për mallrat kryesore, taksat që arkëton qeveria nga ky aktivitet ekonomik janë gjithashtu më të larta se sa më parë. Të ardhurat e qeverisë pritet të arrijnë në 632 miliardë lekë, (5.4 miliardë euro), me një rritje prej 550 miliardë lekë ose 10% më shumë se sa të ardhurat e pritshme të vitit aktual. Diferenca e stërmadhe mes rritjes ekonomike reale 2.6% dhe rritjes së të ardhurave buxhetore me 10% do të thotë se shqiptarët do të konsumojnë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh por më shtrenjtë, duke paguar rrjedhimisht edhe më shumë taksa.

Qeveria parashikon nga ana tjetër të rrisë shpenzimet me 4% në mënyrë që të ulë borxhin e lartë publik të akumuluar gjatë viteve të fundit. Kontraktorët e qeverisë duket se do të jenë përfituesit më të mëdhenj të të ardhurave shtesë të qeverisë ndërsa bankat që janë blerëset kryesore të borxhit publik të brendshëm pritet të shijojnë rritje dyshifrore në të ardhurat nga interesat. Kreditorët e huaj pritet gjithashtu të përfitojnë një rritje dramatike prej 72% në të ardhura.

Qeveria duket se ka në plan të shtojë shpenzimet për personelin edhe më shumë se sa rritja ekonomike, pasi ka fryrë administratën publike me mbi 20 mijë vetë përgjatë pesë viteve të fundit.

Borxhi publik rëndohet

Interesat e borxhit publik janë rritur në mënyrë stratosferike këtë vit dhe pritet të rriten akoma më shumë vitin e ardhshëm, sipas parashikimit të Ministrisë së Financave. Në vitin 2021, shërbimi i borxhit publik i kushtoi shqiptarëve 35.8 miliardë lekë, por këtë vit kostot janë rritur në 51 miliardë ndërsa në vitin e ardhshëm parashikohet të rriten në 61 miliardë.

Borxhi i brendshëm i emetuar kryesosht në lekë pritet të kushtojë 34 miliardë lekë ku bankat, të cilat janë blerëse të mbi 90% të këtij borxhi pritet të jenë përfitueset kryesore. Qytetarët pritet të paguajnë dyfish: një herë si taksapagues dhe një herë tjetër si kredimarrës./BIRN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *