Homazhet për piktorin Sali Shijaku/ Veliaj: Humbëm një njeri të madh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë i pranishëm në homazhet e piktorit Sali Shijaku.

Në një prononcim për mediat, Veliaj tha se sot Tirana kishte humbur një kryeqytetar dhe piktor të jashtëzakonshëm.

“Sot Tirana humbi një kryeqytetar, piktor të jashtëzakonshëm, por unë besoj se ngelet një njeri i madh. Piktori ynë i madh, jo vetëm me veprat e tij, por edhe shtëpia e tij ishte një muze për qytetin që njerëzit të kuptonin sesi rritet një artist i madh. Më shumë se një ditë zie sot është një ditë ku ne celebrojmë veprën e një kryeqytetasi të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Sali Shijaku ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare në Tiranë pas një përkeqësimi të papritur të gjendjes shëndetësore. Ai vlerësohet si një nga autorët më të rëndësishëm në radhët e impresionistëve dhe ekspresionistëve shqiptarë. Ai krijoi një mori veprash mbi epikën heroike me kreshnikët dhe luftëtarët shqiptarë në shekuj, si dhe vepra lirike mbi bukuritë njerëzore dhe natyrore të Shqipërisë.

Sali Shijaku njihet si piktor i kompozimeve masive dhe portreteve të ndezura plot ngjyra shprehëse, piktori i natyrës dhe abstrakteve kontrastuese. Krijimtaria e tij e gjerë e të shumëllojshme është ekspozuar në Kosovë, Itali, Francë, Rumani, SHBA, Austri dhe në shumë shtete të tjerë.

Sali Shijaku është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit” dy vjet më parë nga presidenti i Republikës, ndërsa në jetën e gjatë krijuese ka marrë një seri titujsh në pesë dekadat midis diktaturës dhe demokracisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *