Historia e Rripit të Gazës. Përse nuk kemi paqe?

Bombardimet e fundit izraelite në Rripin e Gazës, sjellin sërish shkatërrim dhe vuajtje njerëzore. Si një nga zonat më të populluara, Rripi i Gazës është shtëpia e 2 milion palestinezëve dhe përshkruhet si “burgu më i madh në botë në qiell të hapur”.

Më datë 10 maj, lëvizja palestineze e Hamasit, e cila sundon Rripin e Gazës, ka sulmuar me raketa Jeruzalemin dhe Beit Shemesh. Ky sulm, ka ardhur si përgjigje ndaj dhunës që policia izraelite përdori mbi më shumë se 300 besimtarë myslimanë palestinezë, të cilëve ju mohua hyrja në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa.

Le të shohim më poshtë historinë e Rripit të Gazës, si dhe atë të krijimit të Lëvizjes të Hamas -it.

Historia e territorit të Gazës

Gaza është një territor i vogël prej 365 km2, i vendosur midis Izraelit dhe Egjiptit në bregdetin e Mesdheut. Prej dekadash ka qenë skenë e protestave dhe konflikteve ushtarake të dhunshme. Kjo vjen për shkak se Izraeli dhe Palestina pretendojnë të drejtën për të qeverisur zonën.

Zona e Gazës ka qenë e sunduar nga Perandoria Osmane, por gjatë Luftës së Parë Botërorë (1914-1918) ajo kaloi nën sundimin Britanik, dhe u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve të Palestinës. Por në nëntor të vitit 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (KB),  pranoi një plan për ndarjen arabe-hebraike të Palestinës, nën të cilën qyteti i Gazës dhe një zonë e territorit përreth do t’u ndaheshin arabëve.

Rripi i Gazës ishte nën sundimin ushtarak egjiptian nga viti 1949 deri në vitin 1956, dhe përsëri nga 1957 në 1967.

Qeveria egjiptiane nuk e konsideroi zonën pjesë të Egjiptit, dhe nuk lejoi që refugjatët të bëhen shtetas egjiptianë ose të migrojnë në Egjipt ose në vende të tjera arabe, ku ata mund të integroheshin në popullsi. Izraeli nuk i lejoi ata të kthehen në shtëpitë e tyre të mëparshme, ose të merrnin kompensim për humbjen e pronës.

Në vitin 1967, Izraeli tronditi botën me një luftë 6 ditore, ku pushtoi territoret e mbetura palestineze të Bregut Perëndimor, Jeruzalemin Lindor, Rripin e Gazës, si dhe Lartësitë Siriane Golan dhe Gadishullin Egjiptian Sinai.

Izraeli ndryshoi hartën e Lindjes së Mesme duke zgjeruar territorin e tij në pothuajse dyfish. Kombet e Bashkuara, pas kësaj lufte pranuan këto territore si të pushtuara nga Izraeli.

Në vitin 1968, Jaser Arafat kalon në krye të Lëvizjes Çlirimtare të Palestinës. Ai foli për herë të parë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku theksoi kërkesat e tij për paqe.

Në vitin 1993, Izraeli dhe Arafati nënshkruan marrëveshjen për paqe të Oslos. Sipas kësaj marrëveshjeje, Arafati fitoi të drejtën për tu kthyer në vendin e tij. Në vitin 1994, Lëvizja për Çlirim të Palestinës dhe Izraeli takohen në Kajro. Në këtë takim u vendos që Izraeli ti lë Palestinës një pjesë të mirë të Gazës dhe qytetin Erila të Bregut Perëndimor.

Fuqia Ushtarake e Hamasit

Hamasi është një shkurtim i Lëvizjes Islamike për Rezistencë, dhe që në arabisht do të thotë “përkushtim”. Hamasi u krijua në vitin 1987 gjatë kryengritjes së parë të palestinezëve.

Hamasi është angazhuar zyrtarisht për të shkatërruar Izraelin, dhe për të krijuar një shtet islamik në vend të tij. Por ka deklaruar se do të pranonte krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga forcat izraelite në luftën e vitit 1967, në këmbim të një armëpushimi afatgjatë.

Hamasi ka kundërshtuar kërkesat nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera, për të njohur shtetin hebre dhe për t’u çarmatosur.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të izolojnë Hamasin, por Lëvizja Islamike ka ndërmarrë një seri sulmesh kundër Izraelit, duke filluar nga viti 2000. Më pas respektoi një armëpushim në vitin 2005. Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 me ndihmën e premtimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin në Autoritetin Palestinez, dhe për të luftuar kundër Izraelit.

Përse nuk kemi paqe?

Izraeli i ka hequr të drejtën palestinezëve për të hyrë në Jeruzalem, duke i privuar kështu nga qendra e tyre fetare, por gjithashtu edhe nga spitalet e specializuara, konsullatat e huaja, bankat dhe shërbime të tjera jetësore. Izraeli po shkel mbi kushtet e Marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, sipas të cilës ai duhet të trajtojë territoret Palestineze si një entitet politik, i cili nuk duhet ndarë.

Familjet janë ndarë, të rinjve u është mohuar mundësia për të studiuar dhe punuar jashtë Gazës, dhe shumë prej tyre i është mohuar e drejta e tyre për të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Bllokada gjithashtu bie në ndesh me nenin 33 të Konventës së katërt të Gjenevës, e cila ndalon dënimin kolektiv e një gamë të gjerë të të Drejtave të Njeriut.

Ajo që palestinezët kërkojnë sot, është që qeveria izraelite të mos i konsiderojë si qytetarë të rendit të dytë, si dhe t’i respektojnë rezolutat ndërkombëtare të dala nga OKB-ja.

Burimi i lajmit: Aljazeera. Përshtati: Priza.al 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *