Hapja e pikës së kalimit kufitar me Malin e Zi/ Çuçi: Do të sjellë potenciale të jashtëzakonshme për turizmin

Në fjalën e tij në Kuvend ministri Bledi Çuçi foli për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulja.

Ministri Çuçi u shpreh marrëveshja ka rëndësi të madhe për lehtësimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes dy vendeve.

“Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit”, tha Çuçi.

Gjithashtu ai shtoi se do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të Bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, malësisë së Krajës, komuna e Barit – Mali i Zi, në të dy anët e kufirit.

Fjala e plotë e ministrit Çuçi:

Të nderuar kolegë deputetë, marrëveshja që kemi sjell sot për miratim në Kuvend për hapjen e një pike të përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi ka rëndësi të madhe për lehtësimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes dy vendeve tona, por edhe më gjerë në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal që Shqipëria ka si prioritet.

Për të ngritur në një nivel tjetër zhvillimin e sektorëve me interes strategjik mes dy vendeve tona, veçanërisht zhvillimin e turizmit, kemi punuar si një ekip i vetëm me palën malazeze, për marrëveshjen e cila është firmosur në mbledhjen ndër-qeveritare që ne bëmë në fillim të këtij viti.

Konkretisht kjo marrëveshje përcakton hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Shën Nikolla-Pulaj në fshatin Pulaj/ Bashkia Shkodër, për qarkullimin ndërkombëtar të njerëzve dhe automjeteve.

Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit. Më konkretisht:

Do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të Bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, malësisë së Krajës, komuna e Barit – Mali i Zi, në të dy anët e kufirit;

Do të shkurtohet distanca dhe ulet fluksi i hyrje- daljeve në Pikën e Përbashkët të Kalimit Kufitar Murriqan, veçanërisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, gjatë së cilit plazhet e Velipojës dhe Ulqinit, Tivarit apo Budvës shndërrohen në destinacionet turistike më të preferuara për shtetasit shqiptarë, malazezë dhe atyre të huaj në të dyja anët e kufirit;
Do të stimulohet shkëmbimi i aktiviteteve/paketave turistike në destinacionet më të dashura në të dy anët e kufirit;

Mendoj se nga një pikëpamje më gjithëpërfshirëse, ky impuls i ri zhvillimi për sektorin e turizmit do të japë një kontribut direkt në rritjen ekonomike si dhe stimulimin e sipërmarrjes që ushtron aktivitet në këto zona.

Iniciativa jonë për hapjen e kësaj pike të përbashkët kufitare nuk duhet parë e shkëputur nga projekti madhor që ka nisur tashmë mes dy vendeve tona; ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna për të shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit.

Ky projekt si dhe pika e re ndëlidhëse pashmangshmërisht do të impaktojë edhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, pa përjashtuar këtu edhe stimulimin e ofertës së agjencive/operatorëve turistikë të vendeve tona.

Shqipëria është një vend ku turizmi ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe po rritet vit pas viti. Çdo investim në infrasktrukturë që e ndihmon këtë sektor është mëse i mirëpritur.

Ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ku aplikohet parimi “One stop shop” konsiderohet një nga nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet dy vendeve, ku aplikimi i standardeve të zonës Schengen na sjellë më afër familjes evropiane. Nga kjo pikëpamje, çelja e kësaj pike të re:

Do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të kontrollit të vijës të kufirit përgjatë lumit Buna;

Do të vendosë më në pah vlerat turistike të ekosistemit të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, malësisë së Tivarit dhe zonave përreth.

Në vlerësimin tonë të gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duhet të jenë pika të përbashkëta të kalimit kufitar. Eksperienca e deritanishme, ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar. Po punojmë me palën malazeze për të ndryshuar statusin e pikave të tjera kufitare në pika të përbashkëta. Në interesin e Shqipërisë është gjithashtu edhe hapja e pikës tjetër të përbashkët të kalimit kufitare Zogaj-Ckla, Skje.

Në përfundim shpreh bindjen se përfundimi i projektit të ndërtimit të urës mbi Bunë dhe hapja e kësaj pika të re e të përbashkët kufitare me Malin e Zi, do të ketë një impakt domethënës për ndërlidhjen mes dy vendeve tona në këtë pjesë të kufirit, si dhe do të çlirojë potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit të turizmit. Praktikisht Velipoja dhe Ulqini sidomos do të jenë më afër se kurrë dhe e gjithë zona përreth tyre do të marrë një perspektivë krejt tjetër. Faleminderit!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *