Gjobiten 2125 shoferë brenda 48 orëve, lëvizën me shpejtësi tej normës së lejuar

Mijëra shoferëve u janë marrë patentat dhe janë gjobitur nga policia rrugore pas disa kontrolleve intensive të kryera në të gjithë vendin në 48 orët e fundit.

Parakalime të gabuara dhe të rrezikshme, shpejtësi mbi normat e lejuara dhe drejtues automjetesh që përdorin celularin gjatë drejtimit te automjeteve janë disa nga shkeljet më të shpeshta të konstatuara nga kontrollet e kryera nga Rruga e Kombit, Hani i Hotit e deri në Sarandë.

Si rezultat i monitorimeve, gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar shpejtësi që varionin nga:

– 154 km/h deri në 167 km/h në rrugën e Kombit;

– 203 km/h deri në 230 km/h në autostradën Laç-Milot;

– 137 km/h deri në 141 km/h në rrugën interurbane kryesore Çermë-Lushnjë.

Për pasojë janë pezulluar 155 leje drejtimi si dhe janë vendosur 2125 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Janë ndëshkuar me masë administrative:

– 553 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara;

– 598 për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit;

– 334 për mosvendosje të rripit të sigurimit;

– 513 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të automjetit;

– 127 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

123 drejtuesve të automjeteve, duke filluar nga rruga e Kombit deri në Sarandë iu është pezulluar leja e drejtimit, me afat nga 3 deri në 12 muaj.

Policia Rrugore ka pezulluar gjithashtu 21 leje drejtimi, me afat nga 2 deri në 18 muaj, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu kanë ndëshkuar me masë administrative për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksion plotësues, 48 drejtues mjetesh.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *